Ekspozite

Realiteti i hidhur në Kosovë me “Skulpturat në hapësirë” të Eroll Muratit

Dy njerëz të zinj që tërheqin fort nga vetja karrigen (ndoshta të pushtetit); dikush tjetër që i hedh vargonjtë si litar shpëtimi dikujt tashmë të robëruar… Këto janë vetëm dy nga veprat e skulptorit Eroll Murati, i cili këtë të hënë në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, hap ekspozitë personale. Me titull “Skulptura në hapësirë” ajo tenton të hedh dritë mbi realitetin e hidhur në Kosovë.

Skulpturat janë shumë më ndryshe nga ç’jemi mësuar zakonisht t’i shohim, ato komunikojnë me njëra-tjetrën, duke shpalosur kështu situatën dhe ngjarjet aktuale të Kosovës, parë nga syri i artistit që i ka realizuar ato.
Murati shpehet se këtë ekspozitë e ka realizuar në mënyrë që qytetarët e Kosovës të mund të shohin dhe të dinë rëndësinë e skulpturave në hapësirë, pasi sipas tij, këto skulptura nuk janë të shpeshta.

Artisti Zeni Ballazhi shprehet se “Hapësira publike si shfrytëzim kohor i ambientit ku ndërtohet një mbështjellje hapësinore ndjek harmoninë, përpjestimin dhe simetrinë që janë të banueshme në mënyrë metafizike jo nga njeriu, por nga hija e tij”. Duke komentuar ekspozitën e artistit Murati, Ballazhi thotë se në të “janë prezente nuancat e të bardhës dhe të zezës, masa e madhe e boshllëku, si dhe kalimet e plota midis tyre, duke ruajtur në të njëjtën kohë vëllimin e madh me lëvizjet e tyre të brendshme e të papritura”.

“E bardha dhe e zeza tek vëllimet e mëdha të skulpturave dëshmojnë më qartë individualitetin e tij krijues për një formë të rëndë skulpturore me cilësi hapësinore. Forma e skulpturave shfaqet konstruktive dhe deri diku e ashpër, duke shmangur tendencën e përpunimit të materialit drejt një latimi plastik, për të sugjeruar në universin e saj rrugën e hapjes, të hapësirës dhe jo atë të mbylljes. E bardha, dritë e pasur e fuqishme, ku objektet shenja përbëjnë fillimin dhe rrugën tonë të ardhshme. Ngjyrat zotëruese janë e bardha dhe e zeza dhe ajo e arta në mes që shprehin zymtësinë dhe dëshpërimin nëpërmjet personazheve që ndodhen gjithmonë në aksion. Ata ironizojnë, reagojnë, të përgëzojnë, komentojnë, ngacmojnë. Dyfishimi i figurave në hapësira të ndryshme i atribuon atyre cilësinë e personazhit, që fillon të jetoj normalisht në një realitet të ri, atë artistik‘, shkruan për ekspozitën e artistit Murati, Zeni Ballazhi, i cili njihet në hapësirën artistike shqiptare edhe si autor i logove të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë dhe 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
Eroll Murati ka marrë pjesë në shumë aktivitete kulturore, si me ekspozita personale ashtu edhe kolektive.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë