Futboll

Reali në kaos, Solari lë jashtë dyshen Isko-Marselo dhe tërbon Perezin

Real i Madridit po kalon një situatë kaotike. Ia doli të fitonte në fushën e Betisit, 1-2, por janë disa çështje që kanë sjellë polemika te madrilenët. Çështja kryesore ka të bëjë me zgjedhjet e trajnerit Santiago Solari, që kanë tërbuar edhe numrin 1 të klubit, Florentino Perez.

Në shtëpinë e kampionëve të Europës, pas lamtumirave të Zidane dhe Kristiano Ronaldo, po mbretëron kaosi dhe Solari, i thirrur për ta shpëtuar “anijen”, duket se po e zhyt më thellë atë. Situata në dhomat e zhveshjes së Realit është e nxehtë dhe rrezikon degjenerojë me shpejtësi. Zgjedhja taktike e Solarit në ndeshjen e fundit, me tre mbrojtës, i ka irrituar drejtuesit e klubit. Edhe lënia në stol e Iskos dhe Marselos për 90 minuta, edhe pse mungonin lojtarë të rëndësishëm, e ka shtuar pakënaqësinë e presidentit Perez.

"Nuk kam asgjë personale me Iskon dhe Marselon, bëjnë pjesë në grup si gjithë të tjerët”, - ka komentuar Solari pas fitores në fushën e Betisit. Rezultati i ka dhënë të drejtë në këtë rast, por të mbash gjithë kohën në stol Marselon dhe Iskon, kur Reali nuk ka të gatshëm lojtarë si Asensio, Bejl, Kurtua, Kros, Lorente, Vazkez, duke shtuar edhe dëmtimin e Benzema, kuptohet që diçka personale ka. Isko duket “mish i huaj” te Reali, duke parë që Solari nuk ka në plan ta aktivizojë. Trajneri e injoroi ndaj Betisit, duke preferuar lojtarë të rinj si Kristo Gonzalez (20 gola në 16 ndeshje me Real Madrid B) dhe Brahim Diaz. Lamtumira e Iskos duket e pashmangshme dhe Juventusi po përpiqet ta marrë në qershor, por Reali dëshiron Dibalën. Për spanjollin janë të interesuar edhe klube të tjerë në Europë.

Solari dhe Marselo

Në merkato duket se do të përfundojë edhe mbrojtësi i majtë, Marselo, i cili u surpriza, duke e parë veten jashtë formacionit ndaj Betisit, por braziliani nuk është injoruar më parë si Isko nga trajneri Solari. Trajneri argjentinas preferoi Reguilon në të majtë, megjithatë edhe pas ndërrimit të tij, Marselo mbeti në stol dhe po shihte si po vuanin djemtë e rinj që ishin në fushë. Një rast i çuditshëm për Realin, që e mbylli ndeshjen e fundit me 26% të kontrollit të topit. Pavarësisht fitores, ndeshja me Betisin ka ngritur shumë diskutime dhe Perez është nxehur keq me Solarin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë