Futboll

Reali me mision drejt Holandës, Totenham pret Dortmundin

Mbrëmja e dytë e fazës së 1/8-ve të Ligës së Kampionëve rikthen në fushë kampionët në fuqi të Real Madridit. Spanjollët do të udhëtojnë drejt Holandës për t’u ndeshur me Ajaksin e rikthyer në këtë kompeticion. Një ndeshje shumë interesante dhe me spektakël të garantuar pritet të jetë edhe ajo që do të luhet në “Wembley”. Tothenhami që u kualifikua me vështirësi, tashmë do të ketë një tjetër sfidë shumë të fortë, pasi do të vihet përballë kryesuesve të Bundesligës, Borusia Dortmund.

Mes halleve dhe problemeve, duket se Real Madrid e ka gjetur ritmin e tij dhe tashmë është në luftë për të gjithë titujt sezonal. Në prag të ndeshjes me Ajaksin, trajneri Santiago Solari mund të jetë i qetë pasi grupi i lojtarëve të tij është i plotë. Me një Vinicius në formë dhe Bejl me Benzema që duket se i kanë lënë pas dëmtimet, Reali i Madridit do të përpiqet që ta mbyllë që në “Johan Krojf Arena” çështjen e kualifikimit për në fazën tjetër të këtij kompeticioni. Ajaksi nga ana tjetër në fazën e grupeve bëri mirë, por sërish të eliminosh Realin e Madridit duket një mision i pamundur.

Në ndeshjet e fundit para se të shkojë në stadiumin e tij të ri, Totenhami do të presë Borusian e Dortmundit, që në javën e fundit pësoi një tronditje në kampionat. “Gjelat” londinez janë të tretët në kampionat vetëm 5 pikë më pak se Liverpuli kryesues dhe për momentin do të vijojnë të jenë në garë për të gjitha kompeticonet. Në këtë ndeshje Mauricio Poketino ka jo pak dhimbje koke. Lamela dhe Dajer janë rikthyer, por Herri Kejn dhe Dele Ali janë në pikëpyetje dhe larg formës së tyre ideale. Ndërkohë për Borusian, pasi zgjidhi problemin me Sançon që harroi pasaportën dhe udhëtoi me vonesë për në Londër, është e gatshme për të kërkuar kualifikimin që në ndeshjen e parë. Përballja pritet të jetë me ritëm të lartë, pasi të dyja ekipet dallohen për lojën e shpejtë dhe për shkak se të dyja repartet e sulmit janë me lojtarë të rinj dhe shumë energjik.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë