Futboll

Reali Madrid gjeneron më shumë të ardhura, asnjë italiane në 10-she

Reali i Madridit kthehet në krye të listës së klubeve me të ardhurat më të larta në botë. Ekipi i presidentit Florentino Perez mban vendin e parë në klasifikimin e “Deloitte”, pasi faturon 750.9 milionë euro në sezon. Më pas vijnë Barcelona, me 690.4 milionë euro, dhe Mançester Junajtid, me 666 milionë euro. Vitin e kaluar ishin pikërisht “Djajtë e kuq” në krye të këtij klasifikimi.

Raporti i fundit i “Deloitte Football Money League”, flet për një luftë titanësh gjithmonë e më të pasur. Mjafton të mendosh se tre klubet më të pasur të sezonit të fundit gjenerojnë 2.1 miliardë euro të ardhura, që është dyfishi i shumës që përfituar nga tre klubet më të pasur 10 vite më parë. Në total, 20 klubet e futbollit me të ardhura më të larta në nivel botëror, gjeneruan 8.3 miliardë euro në sezonin 2017-18, me një rritje vjetore prej 6%.

Juventusi feston me trofeun e Superkupës së Italisë

Asnjë klub italian në 10-shen e parë të këtij klasifikimi. Si zakonisht, Juventusi është klubi italian me të ardhurat më të larta, që në listë mban vendin e 11-të, me 394.9 milionë euro të ardhura, një shifër më e ulët në krahasim me sezonin 2016-2017, kur kishte arritur deri në finale të Champions League. Të ardhurat e Juventusit pritet të shtohen nga efekti Ronaldo, që do të pasqyrohet në raport edicionin e ardhshëm. Ngjitet në vend të 14-të Interi, që ka fituar një pozicion dhe ka ruajtur trendin në rritje të tre viteve të fundit. Interi faturon 280.8 milionë euro. Më pas vjen Roma, falë kalimit në gjysmëfinale të Championsit, me 250 milionë të ardhura. Në vend të 18-të renditet Milani, me 207.7 milionë euro, ndërsa Napoli i Hysajt ka zbritur në vend të 21-të, me 182.8 milionë euro.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë