Futboll

Reali arrin akordin me Hazard, belgu po kërkon shtëpi në Madrid

Pas shumë muajsh flirti, duket se ka ardhur momenti që marrëveshja të mbyllet me sukses. Eden Hazard dhe Real Madrid janë më afër se kurrë më parë, madje zyrtarizimi duket një formalitet. E përditshmja spanjolle “Marca” nuk ka asnjë dyshim: fantazisti belg i Çelsit ka rënë dakord me drejtuesit e Realit dhe së shpejti do të firmosë kontratën e re. Hazard nuk e ka fshehur kurrë dëshirën për të luajtur një ditë me madrilenët dhe kjo ditë ka ardhur. Sulmuesi i krahut po kërkon që tani shtëpi në Madrid. Konfirmimi indirekt për marrëveshjen, gjithmonë duke iu referuar interpretimit që bën “Marca”, vjen nga trajneri Zinedin Zidan, i cili gjatë konferencës së shtypit ka thënë: "Nuk dua të jap opinionin tim personal për Hazard. Do të flasim në fund të sezonit, ose në fillim të sezonit tjetër”.

Reali e kërkoi me ngulm futbollistin belg gjatë verës së kaluar, pas largimit të Kristiano Ronaldos për te Juventusi. Tani palët janë gati t’i thonë “po” njëri-tjetrit, madje as bllokimi i merkatos së Çelsit nuk mund ta pengojë kalimin e Hazard nga kampionati anglez në atë spanjoll. Klubi londinez, edhe pse kundër dëshirës së tij, në një farë mënyre ka pranuar ta kënaqë lojtarin e vet, duke e lejuar të largohet. Sigurisht, jo gratis. Reali duhet të derdhë më shumë se 100 milionë euro në arkën e Çelsit për të marrë një nga futbollistët me më shumë kualitet të momentit, Eden Hazard.

Faqja e parë e gazetës "Marca"

Pak kohë më parë klubi madrilen zyrtarizoi blerjen e mbrojtësit Militao nga Porto, ndërsa Hazard mund të jetë afrimi i dytë zyrtar. Revolucioni te Reali ka nisur, ndryshimi është i pashmangshëm. Pas mbylljes së sezonit, nga Reali do të ketë shumë largime, kështu që presidenti Perez e ka të qartë se organika e ekipit duhet plotësuar me elementët e duhur, që do ta ngjitnin ekipin e tij sërish në majën e futbollit europian, pas këtij viti të dështuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë