Sociale

BE: Ne kërkuam dialog. Gjermania: Shembja e nxituar, e vështirë për t’u kuptuar

Shembja e godinës së Teatrit Kombëtar ka sjellë edhe reagimin e ndërkombëtarëve.

Delegacioni i Bashkimit Europian ka shprehur shqetësim për prishjen e Teatrit, duke theksuar se institucionet shtetërore nuk respektuan thirrjen e tyre për të pasur dialog mes palëve.

Prishja e Teatrit Kombëtar erdhi në një kohë kur ne kërkuam dialog midis autoriteteve dhe shoqërisë civile para se të merrej një vendim i pakthyeshëm. Na vjen keq që kjo thirrje nuk u ndoq nga institucionet përkatëse kombëtare dhe vendore”, deklaroi zyra e delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë.

https://twitter.com/EUinAlbania/status/1261957995581394944

Gjithashtu, BE-ja u bëri thirrje palëve që të tregojnë përmbajtje: “Që në orët e para të këtij mëngjesi, kemi ndjekur me shqetësim të thellë zhvillimet e situatës në terren. Ne u bëjmë thirrje palëve të tregojnë përmbajtje dhe të shmangin një përshkallëzimin të situatës”.

Reagimi i Gjermanisë

Për shembjen e Teatrit Kombëtar ka reaguar edhe ambasadori gjerman në Tiranë, Peter Zingraf. Përfaqësuesi gjerman në Tiranë nuk e fsheh habinë për shembjen e nxituar të Teatrit, ndërsa thotë se “e ka të vështirë për t’a kuptuar” këtë veprim.

“Shembja e nxituar e Teatrit Kombëtar në Tiranë agimin e ditës së sotme në atë formë, që e pamë, është për mua e vështirë për t’u kuptuar. Pikërisht në situatën aktuale të jashtëzakonshme dialogu mes qeverisë dhe shoqërisë civile si dhe sjellja transparente e qeverisë janë veçanërisht të rëndësishme”, shprehet ambasadori gjerman.

Zingraf thekson se “ky zhvillim më shqetëson edhe më shumë nisur nga konteksti i luftës kundër pandemisë së virusit Corona, duke qenë se grumbullimet e njerëzve të ndodhura deri tani dhe ato të pritshme mund të sjellin hapa pas”, ndërsa u bën “thirrje të gjithë aktorëve për dialog dhe vetëpërmbajtje”.

Reagimi i Britanisë dhe Suedisë

Edhe ambasada e Britanisë së Madhe në Tiranë ka shprehur keqardhjen për humbjen e dialogut mbi ndërtesën e Teatrit Kombëtar.

Thellësisht të shqetësuar nga mundësitë e humbura për dialog mbi ndërtesën e Teatrit Kombëtar dhe episodet e dhunës në Shqipëri. Mbështesim të drejtën demokratike për të protestuar dhe u bëjmë thirrje të gjithë të përfshirëve të garantojnë që të jenë paqësorë”, shkruan Ambasada Britanike në Twitter.

“Dhuna cënon parimet themelore të demokracisë”, shtohet në postim.

Edhe ambasadorja e Suedisë në Shqipëri, Elsa Håstad i është bashkuar apelit dhe thirrjes së Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri në lidhje me tensionet e krijuara pas prishjes së godinës së Teatrit Kombëtar.

Ambasadorja suedeze thekson se dhuna minon parimet themelore të demokracisë, ndërsa u bën thirrje palëve për dialog.

Puna për shembjen e Teatrit Kombëtar dhe Teatrit Eksperimental Kujtim Spahivogli nisi në orët e para të mëngjesit dhe është shoqëruar me protestë dhe përplasje fizike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë