Ngjarje

Rasti me meningit në Durrës, mësuesit: Prindërit kanë frikë, vetëm 70% e nxënësve në mësim

Nga Gazeta Si – “Të enjten dhe të premten, në klasën e 8-të, të shkollës 9-vjeçare “Eftali Koçi”, pati shumë mungesa dhe shkak u bënë lajmet në media për rastin e nxënësit tonë i cili u dërgua me urgjencë me 11 shkurt në Tiranë në gjendje të rënduar shëndetësore, me dyshime për një meningit akut bakterial, sipas mjekëve. Nga informacionet që kam marrë sot, mësimi në klasat e paradites ka rinisur me kapacitet të plotë. Shpresojmë se dhe në klasat e pasdites, ku ndjekin mësimin nxënësit nga klasa V-IX, do të ketë ndryshuar situata”.

Kështu janë shprehur për Gazetasi.al, burimet pranë shkollës 9-vjeçare “Kushtrimi i Lirisë”, shkolla që frekuentonte 14-vjeçari i shtruar në QSUT.  Sipas informacionit më të fundit, pasditen e së hënës janë konstatuar sërish mungesa në klasat e ciklit të lartë tek shkolla 9-vjeçare “Kushtrimi i Lirisë” dhe shkollës 9-vjeçare “Eftali Koçi” në Durrës.

Burimet thonë se paniku u shkaktua nga mbulimi mediatik që iu bë këtij rasti dhe informacionet në rrjetet sociale të cilat e paraqitnin situatën në shkollë problematike.

“Kemi patur boshatisje të klasave, prindërit na thonin se kishin frikë. Nuk dinim si tua shpjegonim”, shtojnë mësuesit e shkollës 9-vjeçare “Kushtrimi i Lirisë” në Durrës të cilët për shkak të rikonstruksionit, kryejnë mësimin me 2 turne tek shkolla 9-vjeçare “Eftali Koçi”.

Të pyetur nga Gazetasi.al, mësuesit thonë se në shkolla ka munguar informacioni prej strukturave shëndetësore, për situatën virale në stinën e dimrit dhe kujdesi që duhet treguar.

Sipas burimeve nga shkolla, mësohet se vetëm ditën që u bë publike në media rasti i nisur me urgjencë drejt QSUT,  në shkollë janë zhvilluar biseda të organizuara nga drejtoria e shërbimeve shëndetësore në Durrës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë