Ngjarje

Rast i ri me meningit akut në Durrës, 14-vjeçari shtrohet me urgjencë në QSUT, drejtoresha e shkollës: Nxënësit janë në panik

Një 14-vjeçar është shtruar me urgjencë në Qendrën Spitalore Universitare të Tiranës, pasi u paraqit në spitalin e Durrësit dhe u diagnostikua me meningit gjatë fundjavës që kaloi. I mituri ndodhet nën kujdesin e mjekëve, ndërsa rasti ende nuk është bërë publik nga autoritetet shëndetësore.

Prindër të nxënësve të shkollës 9-vjeçare “Kushtrimi i Lirisë” kanë shfaqur shqetësim për mungesën e masave profilaktike. Aktualisht, nxënësit e kësaj shkolle po vijojnë mësimin në shkollën pritëse “Eftali Koçi”, pasi godina e tyre do t’i nënshtrohet rikonstruksionit të plotë.

Drejtoresha e shkolles “Kushtrimi i Lirisë” Merita Bekteshi, shprehet për mediat se sot ka pasur shumë mungesa në shkollë pasi prindërit dhe vetë nxënësit janë në panik.

“Jemi vënë në dijeni mbrëmjen e djeshme (e hënë) pas procesit mësimor. Shkolla jonë bën mësim turn i dytë dhe e kemi mbaruar mësimin në 17:30 dhe në orën 19:00 jam vënë në dijeni nga mjekja epidemiologe se nxënësi i klasës 8 B me iniciale H.A. ka dalë pozitiv me meningjit bakterial.

Mësimi vazhdon në shkollën “Eftali Koçi”, e cila është shkollë pritëse për klasat e shkollës “Kushrimi i Lirisë”, e cila po i nënshtrohet rikonstruksionit, ndaj bëjmë mësim turn i dytë.

Të premten ka qenë në shkollë nxënësi dhe nuk ka pasur shenja të gripit apo diçka tjetër. Sëmundja ka evuluar të shtunën e të dielën. Mjekja më ka thënë që nxënësit e klasës dhe mësuesit që kanë dhënë mësim në atë klasë duhet të marrin antibiotik. Ditën e sotme pyeta vetë nëse duhet bërë dezinfektim në shkollë, por më thanë që nuk është e nevojshme”, thotë drejtoresha e cila shton se sot në klasën e të miturit ka patur shumë mungesa për shkak të panikut.

Ky rast vjen pas një tjetër rasti fatal të ndodhur në dhjetor të vitit të kaluar, kur një 17-vjeçare nga Durrësit humbi jetën nga meningiti akut në QSUT. Gjendja e saj shëndetësore u përkeqësua me shpejtësi pasi fillimisht ishte paraqitur në spitalin e Durrësit.

Gjimnazistja kishte qenë në një ekskursion me shkollën në Voskopojë, pas të cilit kishte shfaqur  një gjendje virale të lehtë që u përkeqësua me shpejtësi dhe pas dërgimit në Tiranë u diagnostikua me meningit akut. Në këtë rast të gjithë personave të ekspozuar, familjarë, nxënës e staf mjekësor iu rekomandua marrja e medikamenteve profilaktike, ndërsa ambientet e gjimnazit u dezinfektuan.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë