Futboll

Rasti i rrallë i Frenki de Jong, Barcelona e kërcënon me gjyq

Gazeta Si - Për Barcelonën nuk kanë të sosur telashet ekonomike dhe ato të administrimit. Klubi katalanas, në gjendjen aktuale, nuk mund të regjistrojë lojtarët e rinj në La Liga. Një zgjidhje vjen vetëm nëse disa lojtarë pranojnë të ulin rrogat. Mbi të gjithë Frenki de Jong.

Holandezi ndodhet në qendër të bisedimeve (Mançester Junajtid dhe Çelsi e kërkojnë), por edhe të një rasti të veçantë. Sipas ‘The Athletic’, Barcelona kërkon të anulojë kontratën për t’u rikthyer te shifrat e rëna dakord para rinovimit.

Frenki de Jong, mesfushori holandez i Barcelonës. Gazeta Si, 8 gusht 2022

Rinovimi është firmosur me drejtuesit e mëparshëm të presidentit Josep Maria Bartomeu. Kontrata aktuale e de Jong konsiderohet ‘e pavlefshme’ dhe mund të sjellë një denoncim si ndaj presidencës së vjetër, ashtu edhe ndaj holandezit.

Më 20 tetor 2020, de Jong firmosi rinovimin deri në 2026-ën, që parashikonte uljen e pagës, - ishte periudha kur shumë klube ripanë kontratat për shkak të vështirësive akonomike që shkaktoi pandemia.

Ulja e pagës ishte e vlefshme për sezonet 2020-21 dhe 2021-22, ndërsa eurot e humbura do të rikueproheshin në vazhdim.

Pronarët aktualë e konsiderojnë këtë lloj akordi ilegal dhe e kanë kërcënuar lojtarin se do ta çojnë në gjyq, nëse nuk pranon kontratën me shifrat e kontratës së janarit 2019, kur de Jong u ble nga Ajaksi.

Njoftimi u është bërë edhe avokatëve të lojtarit më 15 korrik, vetëm 24 orë pas ‘Jo’-së ndaj propozimit të Mançester Junajtid. Një situatë e çuditshme, siç shkruan edhe ‘AS’. Klubi katalanas kërkon ta shtyjë lojtarin të shitet për të zgjidhur problemet ekopnomike. Avokatët e shohin sjelljen e Barcelonës si një presion mbi lojtarin që të pranojë destinacione të tjera.

Nga ana e Bartomeut ka pasur vetëm qetësi deri tani. Ai ka thënë se Laporta mund të kishte ngritur këtë problem që kur erdhi në krye të klubit dhe jo tani.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë