Shendet

Rastet e kancerit të zorrës së trashë po shtohen te fëmijët dhe adoleshentët

Kanceri kolorektal zakonisht diagnostikohet te të rriturit mbi 50 vjeç, por studimet e fundit kanë treguar rritje të shkallës së fillimit të hershëm tek të rinjtë.

Një studim i ri raporton se normat e kancerit të zorrës së trashë janë trefishuar në adoleshentët e moshës 15 deri në 19 vjeç në 20 vitet e fundit.

Studiuesit gjetën gjithashtu rritje te fëmijët e moshës 10 deri në 14 vjeç dhe të rinjtë e moshës 20 deri në 24 vjeç.

Për këtë studim, studiuesit përdorën të dhëna nga Baza e të Dhënave të Qendrave për Kontrollin e Sëmundjeve për të analizuar tendencat në shkallën e kancerit kolorektal për njerëzit e moshës 10 deri në 44 vjeç nga 1999 deri në 2020.

Gjatë ekzaminimit të të dhënave, studiuesit gjetën ndryshime në kancerin kolorektal, duke përfshirë:

Fëmijët e moshës 10 deri në 14 vjeç - nga 0,1 për 100,000 në 1999 u rrit në 0,6 për 100,000 në 2020.

Adoleshentët e moshës 15 deri në 10 vjeç - nga 0,3 për 100,000 në 1999 normat u rritën në 1,3 për 100,000 në 2020.

Të rinjtë e moshës 20 deri në 24 vjeç - nga 0,7 për 100,000 në 1999 normat u rritën në 2 për 100,000 në 2020/

Shkencëtarët vëzhguan gjithashtu një rritje prej 71% të rasteve të kancerit kolorektal tek të rriturit e moshës 30 deri në 34 vjeç dhe një rritje prej 58% në të rriturit e moshës 35 deri në 39 vjeç nga 1999 deri në 2020.

"Kanceri kolorektal nuk konsiderohet më vetëm një sëmundje e popullsisë së moshuar," tha studiuesi kryesor Islam Mohamed mjek në Universitetin e Missouri-Kansas City.

“Është e rëndësishme që publiku të jetë i vetëdijshëm për shenjat dhe simptomat e kancerit kolorektal.”

Pse po shtohen rastet e kancerit kolorektal tek të rinjtë?

Ndërsa historiku familjar është një faktor rreziku i madh, studimet e kaluara kanë treguar se ka disa faktorë rreziku të tjerë.

“Fakti që njerëzit diagnostikohen me kancer të zorrës së trashë në një moshë më të re tregon se ka ndryshuar ora biologjike”, thotë Anton Bilchik, onkolog kirurgjik.

Bilchik thotë se ende nuk ka detaje më të shumta që t’u tregojnë studiuesve se çfarë mund të bëhet për të parandaluar zhvillimin e kancerit të zorrës së trashë.

Jacqueline Casillas, hematologe/onkologe pediatrike thotë se ndërsa ne nuk i dimë të gjitha detajet, “unë mendoj se studimi nxjerr në pah disa nga faktorët e mundshëm të rrezikut, siç e dimë se kemi norma në rritje të obezitetit, a është ky një faktor rreziku? Ne hamë shumë ushqime të përpunuara dhe po kështu nuk po hamë rekomandimet e dietës së shëndetshme me fruta, perime dhe një dietë të pasur me fibra”.

Shkaqe të tjera të mundshme të kancerit të zorrës së trashë

Bilchik tha se një tjetër shkak i mundshëm për rritjen e rasteve të kancerit kolorektal tek të rinjtë mund të lidhet me përdorimin e antibiotikëve.

“Është e njohur që trupi ynë ka triliona baktere të njohura si mikrobioma dhe se këto baktere luajnë një rol të rëndësishëm në sistemin imunitar dhe në parandalimin e zhvillimit të kancerit kolorektal, si dhe sëmundjeve kardiovaskulare,” shpjegoi ai, duke shtuar se përdorimi pa kriter i antibiotikëve në një moshë të re mund të neutralizojë disa nga këto baktere të rëndësishme, duke i predispozuar të rinjtë për zhvillimin e kancerit të zorrës së trashë.

Casillas thotë se njerëzit nuk duhet të harrojnë faktorët e tjerë të rrezikut për kancerin që janë shfaqur tek të moshuarit.

"Ndërsa fëmijët mund të mos pinë alkool, adoleshentët po i ekspozohen alkoolit," shpjegoi ajo. “Është me të vërtetë e rëndësishme të përqendrohemi në drejtim të përpjekjeve tona për parandalimin dhe kontrollin e kancerit në lidhje me rreziqet që lidhen me alkoolin, përdorimin e duhanit, obezitetin, si dhe rëndësinë e mbajtjes së një stili jetese të shëndetshëm”.

A duhet të shqetësohen të rinjtë për kancerin e zorrës së trashë?

Bilchik tha se ndërsa ai e konsideronte studimin të rëndësishëm, “ne duhet të jemi disi të kujdesshëm kur interpretojmë gjetjet”.

“Ata përdorin përqindje, të cilat janë shumë të larta, për të sugjeruar se ka një rritje prej 400% ose 500% të njerëzve shumë të rinj që diagnostikohen me kancer të zorrës së trashë,” vazhdoi ai.

"Por nëse e përktheni atë në numra absolut, ne po flasim për ndryshimin midis 1 ose 2 nga një milion kundrejt 6 nga një milion," shpjegon Bilchik.

Casillas tha se ky studim është i rëndësishëm pasi do të ndihmojë me studimet e ardhshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë