Shendet

Raste rekord me Covid-19 në Ballkan

Vendet e Ballkanit po përpiqen të kufizojnë përhapjen e koronavirusit pasi shumë prej shteteve të rajonit raportuan një numër rekord të rasteve të reja në 24 orët e fundit:

Kroacia raportoi 542 raste, Bosnja 453, Sllovenia 387 raste, Maqedonia e Veriut 364 raste ndërkohë që Shqipëria raporton prej më shumë se një jave mbi 150 raste.

Autoritetet rajonale thonë se ka arsye për shqetësime serioze edhe në vende si Kosova apo Mali i Zi, që nuk po përballen me rast rekorde të infektuarish. Pothuajse një e treta e testeve të kryera në Malin e Zi u rezultuan pozitive.

Autoritetet e Sllovenisë thonë se janë të alarmuara prej javësh nga rritja e numrit të rasteve në vend. Policia po zbaton kufizime të reja nga e premtja, duke përfshirë ndalimin e mbledhjeve të më shumë se 10 personave.

Autoritetet e Kroacisë thonë se po përgatisin masa të reja, duke përfshirë përdorimin e detyrueshëm të maskave të fytyrës brenda të gjitha ambienteve.

Po ashtu, numri i infeksioneve të reja me koronavirusin e ri të raportuara në Republikën Çeke ishte më i larti për të tretën ditë radhazi. Me 5.394 raste të reja, numri i përgjithshëm në vend që nga fillimi i pandemisë ka shkuar në mbi 100 mijë.

Qeveria çeke është përgjigjur duke vendosur masa kufizuese për të parandaluar valën e përhapjes, ku disa prej tyre hynë në fuqi të premten dhe të tjerat të hënën. Të gjithë teatrot, kinematë, kopshtet zoologjike, muzetë, galeritë e artit, qendrat e fitnesit dhe pishinat publike do të mbyllen për të paktën dy javë.

Gjithashtu, të gjitha aktivitetet sportive në ambiente të mbyllura do të ndalohen. Në natyrë, vetëm deri në 20 persona do të lejohen të marrin pjesë në aktivitete sportive, masë kjo që do të prekë garat profesionale siç janë ligat e futbollit.

Restorantet dhe baret do të duhet të mbyllen në orën 20:00, kurse vetëm katër persona do të lejohen në një tryezë.

Polonia ndërkohë ka raportuar 4,739 raste të reja dhe 52 viktima të lidhura me virusin në 24 orët e fundit, duke shënuar një rritje rekord për të tretën ditë radhazi

Në total, Polonia ka raportuar 116.338 raste dhe 2.919 vdekje që nga fillimi i pandemisë. Numri i infeksioneve ditore është dyfishuar këtë javë dhe Kryeministri Mateusz Morawiecki thotë se vala e dytë, shumë më e madhe se e para, ka mbërritur.

Morawiecki thotë se kapacitetet e spitaleve janë të mjaftueshëm. Kryeministri nuk ka përjashtuar vendosjen e një gjendjeje të jashtëzakonshme nëse rastet e reja vazhdojnë të rriten.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë