Milot Rashica është ylli që po shndërrin më shumë në galaksinë e përfaqësueses së Kosovës. Një ekip që po i mahnit të gjithë me lojën e tij dhe rezultatet historike. Plot 14 ndeshje pa humbje, e bëjnë Kosovën ekipin me kohëzgjatjen më të madhe për momentin, duke lënë pas ekipe të mëdha të botës, si Brazili, Spanja apo edhe Gjermania.
Në këtë ekip, ka qenë vetë Uefa e cila ka zgjedhur më të mirin. Dhe në fakt nuk kishte shumë dyshime se ai mund të ishte Milot Rashica. Sulmuesi i Verder Bremen në Sofie mbrëmjen e së hënës i la të gjithë “me gojë hapur. Shpejtësi, teknikë, saktësi dhe driblime dehëse dhe Uefa i jep një dorë talentit kosovar në rrjetet sociale, duke i shpërndarë një video të tij nga ndeshja më e fundit.
“Kjo paraqitje e Milot Rashicës që e çoi Kosovën drejt fitores, bën që ai të konsiderohet si fituesi i titullit 'Aftësia a Ditës'!”- shkruan Uefa.
Milot Rashica është futbollist i formuar në Holandë te klubi i Vitese, nga ku bëri debutimin në futbollin ndërkombëtar. Klubi holandez ishte trampolina e tij për në Bundesliga me Verder Bremen, ku është duke bërë shumë mirë dhe shumë shpejt mund ta shikojmë në një nga klubet më të mëdha të Europës.
Rashica ka qenë i grumbulluar edhe me ekipin kombëtar të Shqipërisë, por në Europianin e 2016-ës ai u la jashtë nga De Biazi dhe preferoi të kalonte me ekipin e Kosovës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.