Vetëm në sezonin e dytë në Bundesligë dhe ka filluar t’i lërë me “gojë hapur” të gjithë gjermanët. Milot Rashica po zhvillon një super sezon me Verder Bremenin, duke marrë rolin e protagonistit në çdo ndeshje që i jepet mundësia. Të njëjtën gjë, futbollisti kosovar ka bërë edhe këtë herë në ndeshjen Verder Bremen – Bajern Mynih, e vlefshme për Kupën e Gjermanisë.
Milot Rashica ishte më i miri në fushë për ekipin nga Bremeni me një gol dhe një asist edhe pse kjo performancë e tij nuk mjaftoi, pasi Bajerni arriti të fitonte në shifrat 2-3, falë një penalltie shumë të dyshimtë në fundin e ndeshjes. Për mediet gjermane sulmuesi 23-vjeçar mori pas vetes Verderin, duke e afruar shumë me kualifikimin, por ekipi që e ndiqte nga pas nuk i kishte kualitetet e duhura.
Goli i Rashicës në minutën 75’ erdhi vetëm një minutë, pasi ishte shënuar goli i parë dhe ekzaltoi të gjithë të pranishmit në “Weserstadion”, duke filluar nga trajneri e deri tek tifozët. Një gol që nisi dhe përfundoi nga këmbët e Rashicës dhe që nga shumë medie në Gjermani është krahasuar me stilin e golave të Lionel Mesit. Këtë sezon të dytë me fanellën e Verderit, Rashica ka shënuar 10 gola dhe ka dhuruar 3 asist në vetëm 15 ndeshje. Me shumë gjasë nëse talenti kosovar do të vazhdojë me këtë formë, nuk do të jetë e largët dita kur ta shohim të luaj me një nga ekipet më të mëdha në Europë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.