Futboll

Rashford shkërmoq Çelsin, Mançesteri e nis me “poker” golash

Nisje dëshpëruese për trajnerin e Çelsit, Frenk Lampard. Skuadra e tij është mundur 4-0 në “Old Traford”, ku ndoshta nuk pati fatin me vete, por rezultati tregon se ish-lojtari legjendar i bluve të Londrës ka shumë punë përpara. Fillimi ishte mjaft i mirë për Çelsin, por ishte vetëm një iluzion, sepse pas golit të parë të pësuar skuadra e Lampard u shkërmoq plotësisht në sfidën e javës së parë të kampionatit.

Abraham dhe Emerson Palmieri goditën shtyllat e portës së Mançesterit dhe kuptohet që nëse të paktën një nga dy rastet do të kishte qenë gol, ndeshja do të kishte marrë rrjedhë tjetër. Më pas gjithçka ishte një monolog i “Djajve të kuq”, të udhëhequr nga një Markus Rashford i papërmbajtshëm. Sulmuesi i Mançesterit hapi serinë e golave me 11-metërsh pas 18 minutash lojë. Në pjesën e dytë, brenda dy minutash, skuadra e Solskjaer shënoi dy herë me Martial dhe Rashford, ndërsa goli i fundit mban firmën e të riut Xhejms. Mançester Junajtid fitoi 4-0, duke bërë një nisje shumë të mirë ndaj një rivali si Çelsi, mbrojtja e të cilit pati shumë probleme.

Markus Rashford shënon golin e parë me penallti. Gazeta Si, 11 gusht 2019

Më parë, Arsenali i udhëhequr nga kapiteni Granit Xhaka, fitoi 0-1 në fushën e Njukasëllit. Një fitore shumë e rëndësishme për “Topçinjtë”, që iu falën golit të sulmuesit Aubamejang në pjesën e dytë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë