Komunitet

Raporti i OKB-së: Shqiptarët po plaken me shpejtësi

Shqipëria po shkon drejt plakjes me ritme të shpejta. Në një raport të nxjerrë së fundmi, nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, parashikohet se plakja e popullsisë dhe shumë faktorë të tjerë do të bëjnë që në vitin 2060, mosha mesatare e popullsisë të Shqipërisë të arrijë në 48 vjeç, nga 37 vjeç, që është aktualisht.

Sociologu Gëzim Tushi tha për gazetën “Si” se kanë ndikuar shumë faktorë të cilët kanë çuar në plakjen e popullsisë. Sipas tij, tipologjia e familjes në të shkuarën, në krahasim me tani është shumë ndryshe dhe nëse më përpara llogarisnim pesë deri në gjashtë fëmijë në një familje, tani llogarisim dy deri në tre fëmijë në çdo familje.

Në vitin 1950, mosha mesatare e popullsisë së Shqipërisë ishte 21 vjeç, por për shkak të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, që u shoqërua me lindje të shumta në të gjithë Evropën, përfshiu edhe Shqipërinë.

Mosha mesatare parashikohet të ketë rritje të vazhdueshme. Të dhënat e raportit tregojnë se në vitin 2030 do të arrijë në 45 vjeç.Popullsia e Shqipërisë jo vetëm që do të plaket, por strukturat e moshës parashikohet të ndryshojë në të ardhmen.

“Të gjithë e kuptojmë se emigrimi ka ndikuar në këtë çështje, pasi pjesa më e madhe e popullsisë që kanë emigruar përfshin popullsinë vitale. Të rinjtë janë të predispozuar për të shkuar në vendet ku kanë më shumë kushte të mira ekonomike se Shqipëria,” tha Tushi

Sociologu Gëzim Tushi

“ Ndërsa një faktor tjetër i rëndësishëm është dhe revolucioni seksual, pasi shumë çiftet përdorim masa mbrojtëse dhe mund të organizojnë një plan familjar, duke e përcaktuar vetë numrin e fëmijëve ndërkohë që shumë kohë më parë njerëzit nuk kishin të njëjtin informacion,” shton ai

Skenari i rritjes së mesme nënkupton 30 të moshuar për 100 të rritur në moshë pune në të ardhmen.
Sipas projeksioneve vendase për popullsinë që shtrihen deri me 2031, plakja e gjeneratave të njëpasnjëshme dhe ngjarjet demografike do ta ndryshojnë strukturën e moshës së popullsisë shqiptare në mënyrë të shpejtë.

Sipas sociologut riprodhimi biologjik nuk është i njëjtë si në të kaluarën, si rezultat i modernitetit duke bërë që çiftet e reja të përqendrohen në krijimin e familjeve të vogla.

Duke analizuar këto raporte është e qartë se në vitet pasardhëse, gjenerata momentale do të zëvendësohen nga gjeneratat e lindura të cilat mendohen të jenë shumë më të pakta në numër, duke çuar drejt një numri të reduktuar të të rriturve në moshë për të riprodhuar.

“Zgjidhja e vetme për këtë situatë është, krijimi i kushteve nëpër shkolla, spitale dhe vende të tjera sociale duke plotësuar çdo nevojë të individëve,” thotë Tushi


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë