Arsim

Raporti i Maturës 2024 / Maturantët më ‘skeptikë’, shtohen aplikimet për kopje testi

Nga Gazeta Si- Në 2024 janë shtuar maturantët ‘skeptikë’ të cilët kanë aplikuar për të marrë një kopje testi, duke mos besuar tek vlerësimi që u është bërë. Në 2023 ishin rreth 11.600 aplikime për kopje testi ndërkohë që në 2024 janë rreth 14.600 maturantët që kanë aplikuar.

Sipas krahasimeve, rritjen më të madhe e ka pasur testi i gjuhëve të huaja ku nga 1884 maturantë që kanë kërkuar kopje në 2023, në 2024 janë 3284 maturantë që kanë kërkuar kopje.

Rivlerësimi i testeve në Maturën shtetërore 2024.

Nota mesatare vjetore e Maturës Shtetërore ka pësuar rritje krahasuar me një vit më parë. Ajo vlerësohet 7.58, krahasuar me 2023-shin, ku nota mesatare vjetore e Maturës Shtetërore rezultoi 7.3.

Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe Qendra e Shërbimeve Arsimore prezantuan sot raportin e detajuar mbi Maturën Shtetërore 2024 ku vërehet se edhe përqindja e kalueshmërisë në vitet e fundit është rritur.

“Ka një kalueshmëri prej 99.42%, që në fakt është një përqindje më e lartë kalueshmërie se ajo e një viti më parë, dhe në trend disa vjeçar është më e larta në këtë 5 vjeçar”, tha ministrja e Arsimit Ogerta Manastirliu.

Ndërkohë, nota mesatare e provimeve të maturës 2024 qëndron thuajse në të njëjtat nivele krahasuar me maturën 2023 ndërsa vlerësohet se ka një rritje në notën vjetore të Maturës Shtetërore në lëndën e Matematikës në krahasim me 2023-shin nga 6.72 që vlerësohet mesatarja e notës vjetore në Matematikë,  në 2024 rezulton në 7.79.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë