Dosje

Raporti i EUROPOL: 821 grupe kriminale me 25 mijë anëtarë operojnë në Europë, shqiptarët trafikojnë kokainë dhe heroinë

Nga Gazeta Si- Shqiptarët hyjnë në listën e rrjeteve kryesore kriminale të trafikut të kokainës në Europë, bashkë me belgët, holandezët, italianët dhe spanjollët.

raportin e vitit 2023 të publikuar nga Europol, shqiptarët po ashtu hyjnë edhe në listën e rrjeteve kriminale të trafikut të kanabisit, me belgët, holandezët, gjermanët, spanjollët dhe turqit. Në këtë raport shqiptarët zënë hapësirë si pjesë e rrjeteve kriminale që janë kryesisht aktiv në trafikun e kokainës, heroinës dhe kanabisit, kryesisht në Belgjikë, Francë, Gjermani, Itali, Holandë dhe Spanjë.

Jashtë BE-së shqiptarët operojnë edhe në Brazil, Kolumbi, Ekuador dhe brenda vendit tonë. Sipas raportit, rrjetet kriminale të përqendruara në Shqipëri janë të përbëra ose vetëm nga shqiptarë, ose nga shqiptarë të kombinuar me kombësi të tjera si belge, holandeze, franceze, greke, italiane dhe serbe.

“Krimi i rëndë dhe i organizuar është i përhapur dhe vazhdon të përbëjë një kërcënim të madh për sigurinë e brendshme të Bashkimit Evropian”, thekson Europol pas studimit të të dhënave nga 27 vende anëtare të BE-së dhe 17 vende partnere të Europolit.

Raporti fokusohet në rrjetet më të rrezikshme dhe mënyrën se si ato funksionojnë, duke i përshkruar ato si “shumë profesionale, fleksibël, kontrolluese dhe shkatërruese”.

 “Një rrjet kriminal aktiv në trafikun e heroinës dhe kokainës dhe pastrimit të parave në të gjithë Evropën u shpërbë  nga autoritetet. Rrjeti ka një strukturë familjare të lidhur së bashku nga kombësia e përbashkët, të përbëra kryesisht nga shqiptarë dhe shqiptarë me kombësi të dyfishtë. Rrjeti kontrabandon drogë me kontejnerë në Belgjikë. Droga  më pas u zhvendos në Gjermani me automjete të sofistikuara ku më tej shpërndahej në të gjithë Europën”, thuhet në raport.

Sa i përket kombësive të përfshira në këto rrjete, Europol sqaron se grupet shqiptare janë në përgjithësi homogjene, me anëtarë të së njejtës kombësi, por nuk përjashtohen raste të përfshirjes së anëtarëve me kombësi belge, holandez, franceze, greke, italiane dhe serbe.

“Rrjetet janë aktivë në trafik droge, trafik armësh zjarri, grabitje dhe trafiku i emigrantëve. Ato operojnë në një numër të madh të vendeve anëtare të BE dhe vendet e tjera si Norvegjia, Zvicra, Shtetet e Bashkuara, Britania dhe vendet e Amerikës Latine”, thekson raporti ndër të tjera.

Trafiku i drogës zë hapësirën kryesore të të gjitha grupeve kriminale. Shumica e këtyre rrjeteve që përfshihen në aktivitete të trafikut të drogës janë raportuar nga pothuajse të gjitha shtetet e BE-së dhe më shumë goditje e operacione janë bërë në Belgjikë, Gjermani, Itali, Holandë dhe Spanjë.

Raporti i Europol: Shqiptari kujdesej për importin e kokainës nga Kolumbia në BE! Droga kamuflohej në kompanitë e bananeve

Raporti ka zbërthyer edhe strategjitë e përdorura nga rrjetet kriminale për trafikun e drogës. Në një rast përmendet një shqiptar i cili siguron transportin e kokainës nga Kolumbi dhe shpërndarjen e mëtejshme në Europë duke e fshehur në banane.

“Kreu i një rrjeti kriminal, një biznesmen italian me origjinë argjentinase me banim në Marbella, përdori kompaninë e tij për të fshehur si trafikun e drogës ashtu edhe aktivitetet e pastrimit të parave. Ai menaxhon disa kompani, duke përfshirë një importues të bananeve nga Ekuadori në BE.

Ai gjithashtu zotëron qendra sportive në Marbella, qendra komerciale në Granada dhe bare dhe restorante të shumta. Një bashkëpunëtor shqiptar, me qendër në Ekuador, kujdeset për importin e kokainës nga Kolumbia në Ekuador dhe shpërndarjen e mëvonshme në BE. Kompanitë e frutave ekuadoriane përdoren si kamuflazh për këto veprimtari kriminale”, thuhet në raport.

Europol emëroi familjen e fuqishme Ndrangheta në Itali si shembull kryesor, me fitime nga trafiku i drogës dhe armëve që investohen në të gjithë Evropën në prona, supermarkete dhe hotele.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë