Shendet

Raporti i BE: Së shpejti antibiotikët nuk do të japin efekt

Të dhënat e marra nga njerëzit dhe kafshët të paraqitura nga të gjithë vendet anëtare të Bashkimit Europian mbi rezistencën antimikrobike, janë mbledhur dhe analizuar bashkërisht nga Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e sëmundjeve dhe Autoriteti Europian i Sigurisë Ushqimore, për të treguar se rezistenca ndaj antibiotikëve është bërë një temë shqetësuese.
Studimi tregoi se rezistenca antimikrobiale është një kërcënim që mund të marrë 3000 jetë njerëzish çdo vit në të gjithë Europën, gjithashtu është përgjegjëse për një humbje vjetore ekonomike prej 1.5 milionë eurosh në blerjen dhe realizimin e antibiotikëve, që mendohet se në një të ardhme përsëri nuk do të funksionojnë. Rezistenca antimikrobiale pritet të kthehet në "vrasësin" më të madh të njerzve dhe kafshëve gjatë viteve të ardhshme.
Përgjithësisht, antibiotikë të shumtë përdoren tek kafshët për të trajtuar bakteret e njohura si kampylibakterioza dhe salmoneloza pa kaluar tek njerëzit. Këto infeksione mund të fitohen direkt nga kafshët, përmes konsumimit të produkteve ushqimore të kontaminuar, duke bërë që sëmundjet të transmetohen tek njerëzit dhe shkalla e tyre të ndryshojë nga simptomat e lehta në ato ekstreme që mund të shktojnë vdekjen.

Megjithatë, keqpërdorimi dhe përdorimi i tepërt i antibiotikëve në vitet e fundit ka bërë që disa mikroorganizma të quajtura nga ekspertët “superbugs” zhvillojnë rezistencën antimikrobike, që do të thotë se ilaçet sa vjen e bëhen më pak efektive dhe infeksionet vazhdojnë të zhvillohen në trup.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, më shumë ilaçe antimikrobiale përdoren tek kafshët se sa tek njerëzit. Për shembull në Gjermani mjekët përdornin 800 ton ilaçe antimikrobiale ndërsa veterinerët përdornin 1734 ton.

Raporti nga Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) i cili i referohet të dhënave që nga viti 2017 theksoi, se antibiotikët “flurokinolone”, të cilët janë përdorur gjerësisht për dekada të tëra, nuk janë më funksionalë për trajtimin e mikrobeve si kamylobakterit dhe salmonela për shkak të rezistencës antimikrobiale.
“Raporti i publikuar është shqetësues dhe të gjithë vendet duhet të veprojnë për të gjetur zgjidhjen e këtij problemi,” tha Vytenis Andriukaitis shef i shëndetësisë në Bashkimin Europian, duke shtuar se kjo tregon se po hyjmë në një botë, ku një numër gjithnjë e më i madh infeksionesh po bëhen të vështira e të pamundura për t'u trajtuar.

Auditorët e BE njoftuan të martën se po kryejnë një auditim të veprimeve kundër “superbugs”, duke hetuar në mënyrë të veçantë se si Komisioni Europian dhe agjencitë përkatëse menaxhojnë aktivitetet dhe burimet kyçe në këtë fushë.
Ndërsa, raporti i Gjykatës Evropiane të Revizionit (ECA) pritet të publikohet në gjysmën e parë të vitit 2020.
"Tani është koha për ta ndryshuar botën dhe të jetojmë të sigurt në të, pasi hapi i parë i zgjidhjes së një problemi është gjetja e shkaktarit” thotë Mike Catchpole, shkencëtari kryesor i ECDC, duke paralajmëruar se edhe me përmasa të ulëta të rezistencës antimibrobiale që mund të kemi, shumë pacientë që kanë trajtim shëndetësor të kufizuar, janë të rrezikuar nga infeksione të rënda.
Ndërkohë, OBSH bën me dije se Rumania do të organizojë një konferencë në Bukuresht këtë javë që vjen për identifikimin e veprimeve të nevojshme për të përmirësuar parandalimin dhe kontrollin e infeksioneve të rezistencës antibikrobiale në nivel kombëtar dhe evropian. /Euractiv/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë