Ekonomi

Raporti i BE: Qeveria të ulë borxhin

Detyrat që BE i ka lënë Shqipërisë në fillim të muajit tetor në kuadër të marrëveshjes së Asocim-Stabilizimit kanë qenë ekonomike.

Sipas raprotit që Bashkimi Europian harton në mënyrë periodike për vendet kandidate, Shqipëria nuk ka realizuar premtimin e uljes së borxhit publik.

Në raport theksohet se tre shtyllat kryesore për realizimin e detyrave të shtëpisë janë; borxhi publik, menaxhimi i financave fiskale dhe vijimi i reformës në sektorin e energjisë.
“Shqipëria përjetoi një nga tërmetet më të fuqishme në shtator, por fatmirësisht dëmtimet në njerëz dhe pasuri ishin të kufizuara. Bashkimi Europian po jep asistencë dhe qeveria shqiptare ka përgatitur një rialokim të fondeve për të mbështetur rindërtimin. BE dhe Shqipëria diskutuan progresin ekonomik dhe financiar të vendit në kuadër të marrëveshjes së stabilizim asocimit në 3 tetor në Bruksel"- citohet në raport, i cili vijon "Shqipëria konfirmoi angazhimin e saj për stabilitet makroekonomik, konsolidim fiskal dhe zhvillim drejt funksionimit të një tregu konkurrues. Të dy palët ranë dakord se Shqipëria do të ulë në vazhdim nivelin e borxhit publik të forcojë menaxhimin fiskal si dhe do të kapë ritmin sa i përket ngadalësimit të shfaqur në liberalizmin e tregut të energjisë”

Raporti vijon me treguesin e rritjes ekonomike që u ngadalësua në 2.3 për qind krahasuar me një vit më parë për shkak të prodhimit të dobët të hidro-energjisë që erdhi si rezultat i sasisë së ulët të reshjeve.

Për BE-në, qeveria dhe konsumi privat u bënë guida kryesore e rritjes ekonomike, teksa investimet u ulën për shkak të kompletimit gradual të punimeve të gazsjellësit Trans Adriatik.

Për eksportet raporti thekson se pësuan rigjallërim pas stanjacionit në tremujorin e parë pavarësisht se kemi një rënie të eksportit të energjisë.

Për kursin e këmbimit leku vazhdoi tendencën e tij të forcimit përballë euros në tremujorin e tretë duke u forcuar me të paktën 2.4 për qind që nga fillimi i vitit, por tendenca e forcimit u ngadalësua në krahasim me 2018, thuhet në raport.

Në sektorin financiar kredia shënoi rritje për sektorin privat dhe përmirësimi kulmoi me nivelin 6.8 për qind në tremujorin e tretë. Nga 5.9 në tremujorin e dytë.

Ditë më parë si FMN dhe BB parashikuan ekonominë e Shqipërisë me ulje. Po ashtu edhe Raporti i Konkurrueshmërisë Globale e zbriti ekonominë shqiptare me 5 vende.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë