Futboll

Rapinoe-mania, peticion për ta pasur në kopertinën e “FIFA 20”

Kampione bote me Amerikën në kampionatin e zhvilluar pak kohë më parë në Lion të Francës dhe protagoniste me deklaratat e saj kundër presidentit Donald Tramp. Personazhi i momentit është Megan Rapinoe, lojtarja e kombëtares amerikane të futbollit të femrave, së cilës mund t’i rezervohet një vend në kopertinën e “FIFA 20”.

Për videolojën e njohur çdo vit zgjidhen përfaqësuesit që ajo do të ketë në plan të parë. Në faqen zyrtare, të pasionuarit e kësaj loje kanë nisur një peticion për të pasur në kopertinë kapitenen e kombëtares amerikane të futbollit të femrave, Rapinoe. Nuk do të ishte diçka e re, nëse do të vendoset një futbolliste në plan të parë. Gjatë sezonit 2015-2016, “EA Sports” zgjodhi sulmuesen Aleks Morgan, lojtaren më të famshme në atë kohë të Amerikës, e njohur edhe si pika e referimit në zhvillimin e futbollit të femrave.

Megan Rapinoe

Peticioni është ideuar nga Darren Holland në “Change.org” dhe deri tani ka më shumë se 1000 firma. Megan Rapinoe vlerësohet për faktin se me qëndrimet e saj ka hyrë në zemrat e pasionuarve të futbollit. Amerikania është në garë për kopertinën e “FIFA 20” me Son, Salah dhe Grizman, ndërsa Kristiano Ronaldo dhe Nejmar janë përjashtuar si mundësi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë