Shendet

Ranitidina, PD: Shëndeti i qytetarëve në mëshirë të fatit

Partia Demokratike ka reaguar në lidhje me investigimin e publikuar nga Gazeta “Si”, që zbuloi këtë të enjte se në tregun e farmacive shqiptare shiten lirisht barna që janë të ndaluara në SHBA dhe BE si shkaktarë të sëmundjeve kancerogjene.

Bardh Spahia deklaron se siguria dhe shëndeti i qytetarëve është lënë në dorë të prodhuesve, importuesve dhe shpërndarësve të barnave nga Agjencia Kombëtare e Barnave.

“Agjencia Kombëtare e Barnave (AKBPM) vetëm njofton e këshillon profesionistët e shëndetit për efektin anësor të Ranitidinës e Zantac e i kërkon Urdhrit të Farmacistit e Mjekut që të informojnë pacientet për efektin e rrezikshëm të përdorimit të Ranitidinës! Pra në Shqipëri, siguria e jetës i lihet në vullnetin e lirë e ndërgjegjen e prodhuesve, importuesve e shpërndarësve!”, deklaron ai.

Zyrtari demokrat e vlerëson këtë si papërgjegjshmëri.

“Përballë kësaj papërgjegjshmërie flagrante të shtetit e ministrisë së kapur e të paaftë, këshilla urgjente për qytetarët është që të mos e marrin më atë ilac e të këshillohen me mjekun për zëvendësuesin e tij, që të mos ketë përmbajtje nitrosamine (NDMA)”, shkruan ai më tej.

Ish-deputeti i PD-se, Bardh Spahia. Gazeta Si, 26 shtator 2019

Spahia ngre disa pyetje për të cilat thotë se përgjigjet që kërkohen janë urgjente për shëndetin e qytetarëve.

“A qarkullojnë në Shqipëri barna me princip aktiv ranitidine, lëndët e para ose ndihmëse të të cilave prodhohen në Indi? A ka kapacitete AKBPM për të kryer testet e nevojshme mbi praninë e papastërtisë nitrosaminë tek barna me princip aktiv ranitidine? A ka kapacitete AKBPM për të kryer analizën e cilësisë dhe efikasitetit të barnave? A garanton AKBPM barna të sigurta e efikase për popullatën? A është e vërtetë se aktualisht AKBPM nuk kryen asnjë analizë laboratorike për asnjë bar që prodhohet apo importohet në vend? Nëse ndonjëra nga përgjigjet do ishte pohuese, përse atëherë AKBPM kryen vetëm këshillim e jo veprim, së pari me listimin e barnave që kanë në përmbajtje principin aktiv ranitidinë?”, shton ai.

Bardh Spahia kujton se ranitidina është e ndaluar nga SHBA për papastërtinë nitrosamine të gjetur gjatë testeve laboratorike. “Që klasifikohet si substancë që mund të shkaktojë kancer. Kjo vlen edhe për cdo ilac tjetër që ka në përbërje këtë substancë si Zantac”, shkruan ai në Facebook.

Spahia shton më tej se ranitidina është tërhequr nga tregu edhe në Itali së bashku me një ndalim paraprak për 519 ilaçe të tjera që përmbajnë këtë përbërës dhe prodhim i Saraca Laboratories LTD, ndërsa Greqia shkon më tej duke urdhëruar tërheqjen e të gjithë medikamenteve Zantac që përmbajna ranitidinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë