Udhëheqësit e vendeve kandidate për anëtarësim në Bashkimin Europian janë ftuar për të marrë pjesë në punimet e samitit të radhës, që mbahet në datat 23-24 qershor.
Ftesa është dërguar edhe për Edi Ramën, Aleksandër Vuçiç dhe Dimitar Kovaçevskin. Ajo është dorëzuar si një ftesë individuale për secilin prej tyre, por tre udhëheqësit e “Ballkanit të Hapur” vendimmarrjen duan ta kenë kolektive.
Fillimisht Aleksandër Vuçiç në Beograd dhe më pas Dimitar Kovaçevski në Shkup njoftuan se kanë pasur një komunikim urgjent përmes një video-konference, ku pjesë ka qenë edhe Edi Rama. Temë e komunikimit ka qenë pjesëmarrja në samitin e udhëheqësve të Bashkimit Europian.
Vendimmarrja, sipas deklaratës së Kovaçevskit në Facebook, do të njoftohet nesër. “Ramë dakord që pas konsultimeve të brendshme shtesë, nesër pasdite të njoftojmë pjesëmarrjen ose jo në këtë samit”, shkruan Kovaçevski.
Arsyet e bojkotit serb në këtë samit janë të qartë. Serbia është në qendër të presionit të Perëndimit për të njësuar politikën e jashtme me Brukselin, për t’iu bashkuar sanksioneve ndaj Rusisë dhe për të luftuar korrupsionin dhe forcuar shtetin ligjor. Të gjitha këto arsye i kanë ngrirë negociatat mes BE-së dhe Serbisë. Prandaj, Vuçiç nuk ka çfarë të humbë, për të mos thënë që me bojkotin e këtij samiti shmang shtimin e presionit perëndimor për qëndrimin prorus që po ndjek.
Për Maqedoninë e Veriut bojkoti deri diku mund të mirëkuptohet. Shkupi është në dorë të Bullgarisë, që me shumë gjasa anuk do të heqë veton për caktimin e datës së negociatave. Një bojkot i Maqedonisë së Veriut mund të lexohej në Bruksel edhe si formë proteste e drejt pas gjithë sakrificave që Shkupi ka bërë për integrimin, përfshirë këtu edhe ndryshimin e emrit.
Po Shqipëria? Shqipëria ka plot arsye për të qenë e pakënaqur nga Bashkimi Europian sa i përket negociatave, por bojkotimi i një samiti udhëheqësish, aq më tepër në një kohë kur po kërkohet shkëputja nga Maqedonia e Veriut, jo vetëm mund të duket si reagim i tepërt, por edhe i dëmshëm për vendin.
Ai mund të lexohet si presion ndaj Bashkimit Europian. Nëse Vuçiç e ka të mirëmenduar këtë presion si kundërpërgjigje ndaj presionit me të cilin po përballet për qëndrimin e ndjekur ndaj Rusisë, po Shqipëria pse duhet ta bojkotojë?
“Diskutuam sot gjatë me Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut. Me sa duket një tjetër ‘Jo, na vjen keq!’ do të dëgjojmë në fund. I gjithë unioni është marrë peng nga Bullgaria dhe nuk është një shfaqje e mirë për t’u ndjekur. Çfarë të bëjmë ne atje?!”, shkruan Rama në Twitter.
Gjëja e parë që mund të bëhet në Bruksel, edhe nëse samitin e bojkoton Maqedonia e Veriut, apo Serbia, është të kërkohet shkëputja sa më shpejt e Shqipërisë në rrugën e negociatave. Pra, të realizohet ajo që shqiptarët miratuan edhe përmes këshillimit kombëtar, që Edi Rama i referohet kur shqipton kërkesën për ndarje nga Shkupi para zyrtarëve të BE-së.
Kjo është ana përmbajtësore e “çfarë të bëjmë atje”, ndërsa ana simbolike mund të jetë edhe më e fuqishme. Një bojkot do të interpretohej si “karshillëk” dhe “presion” BE-së, por duke u rreshtuar me Serbinë, që ka vite që luan me dy porta.
Jo vetëm kaq, bojkoti ushqen edhe më shumë akuzat se Ballkani i Hapur është nismë ruse.
“Rama me Vuçiçin kërcënojnë me bojkot. Akt anti-europian dhe i dëmshëm për Shqipërinë. Efekti i parë i dukshëm i Ballkanit të Hapur. Rama me Vuçiçin pro-Putin kërcënojnë me bojkot të samitit të BE-së ku janë të ftuar nga Charles Michel për një takim Ballkani Perëndimor-Këshilli Europian. Refuzimi publik i ftesës është një akt anti-europian e shumë i dëmshëm për Shqipërinë e më gjerë”, shkruan Genc Pollo.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



