Analize

Ja që dhe Rama dhe Shqipëria nuk u bënë alibi e Serbisë për të mos sanksionuar Rusinë

rama vuci mbeshteisn njeri tjetirin

Kryeministri Rama mund të ketë shumçka në dorë por jo gjithçka e ca më shumë të ketë kredenciale të forta sa të ndryshojë udhët europiane.

Pavarësisht se ai mund të ketë bërë çfarë do llojë trysnie, lobi, romuze, inate, Shqipëria që ai drejton është e vogël politikisht dhe strategjikisht sado i gjatë të jetë shtati politik i zotit Rama.

Duke ngritur pyetjen “Çfarë të bëjmë atje?, Edi Rama paralajmëroi të martën bojkotin që Shqipëria mund t’i bëjë samitit të përbashkët të BE me vendet e Ballkanit Perëndimor, duke e arsyetuar këtë mospjesëmarrje me faktin se edhe kësaj here Shqipërisë nuk do t’i hapen negociatat.

“Ne diskutuam gjatë sot me liderët e Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut për Samitin e ardhshëm të BE-së. Duket se një tjetër “Jo, më fal!” do të jetë ajo që do të dëgjojmë në fund! I gjithë Unioni i rrëmbyer nga Bullgaria nuk është një spektakël i mirë për t’u parë! Çfarë duhet bërë atje?!”, shkruajti Rama në Twitter.

Një ditë, para Ramës, bojkotin e këtij samiti e shpalli edhe presidenti serb Aleksandar Vuçiç, ndonëse vendit të tij i janë hapur prej kohësh negociatat.

Mirëpo një pjesë në Shqipëri nuk e panë këtë koordinim ballkanik për të bojkotuar si presion ndaj BE-së por si një nder ndaj Serbisë.

Ata ngritën hipotezën se në Samit pritej që Këshilli Evropian t’u bëjë thirrje të gjitha vendeve që të harmonizohen me sanksionet e BE-së, në veçanti vendet kandidate”

I vetmi vend që ende mezi po përballon presion për të mos vënë sanksionet, është Serbia. Bojkoti, sipas hipotezës, do të ndihmonte Serbinë për t’iu shmangur detyrimeve për të vënë sanskione dhe në këtë pikë e paska ndihmuar Shqipëria dhe posaçërisht Edi Rama, i cili edhe ai premtoi se do të bojkotonte, por për tjetër arsye.

Kjo hipotezë tashmë bie sepse Bullgaria sipas Komisionerit të Zgjerimit, Oliver Varhelyi, do të jetë e gatshme të heqë veton pas premtimit të udhëheqësit të opozitës aty për të pranuar negociatat bazuar në propozimin francez.

Për heqjen e vetos do të duhet propozimi i Qeverisë dhe një vendim i Parlamentit bullgar. “Presim që qeveria të bëjë propozimet e nevojshme sot në Parlament dhe Europa të ecë përpara”, shkruajti Varhelyi.

Meqë Bullgaria premton të heqë veton nuk do të thotë se presioni i “çunave” të Ballkanit e bëri të mundur, por ama ai qëlloi në kohën e duhur dhe në momentin e duhur. Dhe ngjarjet e fundit treguan se  as zoti Rama - edhe sikur të donte ai - dhe as Shqipëria nuk u bënë alibi për Serbinë që t’i shmanget zotimit për sanksioneve ndaj Rusisë. Në ndihmë na erdhi edhe Bullgaria e cila deri dje po dukej si armik, por që vendosi sot se do të heqë veton.

Politika reale fitoi mbi atë të hamendësuar. Dhe nëse Serbia sërisht do të spërdridhet, është problemi i saj, paçka se kur vjen puna te integrimi bakllanik, ajo mund të ketë në krah jo vetëm Shqipërinë por çdo vend tjetër të rajonit, po deshët edhe Kosovën.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë