Bullgaria do të heqë veton ndaj Maqedonisë së Veriut, në një vendim të minutës së fundit, ku rol vendimtar ka luajtur opozita e udhëhequr nga ish-Kryeministri Boyko Borisov.
Lajmin e ka dhënë Komisioneri i Zgjerimit, Oliver Varhelyi.
“Falenderojmë udhëheqësin e opozitës, Boyko Borissov për vendimin historik për Europën dhe Maqedoninë e Veriut për të pranuar negociatat bazuar në propozimin francez”, shkruan Komisioneri.
Për heqjen e vetos do të duhet propozimi i Qeverisë dhe një vendim i Parlamentit bullgar. Varhelyi shprehet optimist.
“Presim që qeveria të bëjë propozimet e nevojshme sot në Parlament dhe Europa të ecë përpara”, shkruan ai.
Me heqjen e vetos bullgare hiqet edhe arsyeja e mospjesëmarrjes së Kryeministrit Edi Rama në Bruksel. Një ditë më parë, Rama postoi në rrjetet sociale se pritej një jo e Bullgarisë dhe përsa kohë kjo është pengmarrje e Europës, ai nuk ka arsye se pse të shkojë në samitin e udhëheqësve të BE.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.