Politike

Rama uron Pavarësinë në foto me Dua Lipën. SHBA-BE: Në krah të popullit shqiptar

Gazeta Si - Kryeministri i vendit Edi Rama ka uruar këtë të hënë 110-vjetorin e Pavarësisë me një foto bashkë më këngëtaren shqiptare Dua Lipa.

"MIRËMËNGJES dhe me qytetaren më të re të Shqipërisë, ju uroj të gjithëve gëzuar përvjetorin e 110 të Flamurit të Pavarësisë, këtë ditë të bekuar të kombit tonë që sot do të mbyllet me Duan në Sheshin Skënderbej", shkruan ai.

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, ka uruar të gjithë shqiptarët brenda dhe jashtë vendit me rastin e 110 vjetorit të Pavarësisë dhe Ditës së Flamurit Ministrja Xhaçka theksoi se ky është një moment krenarie për gjithë shqiptarët, por edhe një moment për të reflektuar mbi arritjet dhe punën që duhet çuar përpara.

“Sot Shqipëria është një realitet krejt ndryshe. Vendi ynë, kombi ynë është rreshtuar në anën e duhur të historisë ashtu si 110 vjet më parë kur shqiptarët triumfuan në luftën e tyre për pavarësi. Sot, Shqipëria është anëtare e NATO-s, ka hapur negociatat me BE-në, qëndron e ulur në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe po kontribuon në disa prej çështjeve më të rëndësishme me të cilat bota po përballet”, u shpreh ajo në mesazhin e publikuar në rrjetet sociale.

Sekretari Amerikan i Shtetit Anthony Blinken ka uruar me një mesazh sot shqiptarët për 110 vjetorin e Pavarësisë.

Ai falënderoi Shqipërinë për partneritetin dhe mbështetjen gjatë zhvendosjes së afganëve, për lidershipin dhe kontributin në skenën botërore e luftën në Ukrainë si dhe kontributin si anëtare e NATO-s.

"Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është nderi im të uroj popullin e Shqipërisë në 110-vjetorin e Pavarësisë. Shtetet e Bashkuara janë gjithashtu krenare të festojnë 100-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike SHBA-Shqipëri dhe partneritetin e gjerë e të fortë që kemi ndërtuar së bashku.

Shtetet e Bashkuara kanë qenë të nderuara të punojnë së bashku me Shqipërinë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, teksa ju vazhdoni të jepni kontribut të rëndësishëm në skenën botërore. Shqipëria ka shfaqur lidership dhe guxim duke mbështetur Ukrainën dhe duke vënë në dukje veprimet e aktorëve keqdashës në Evropë dhe në mbarë botën. Kontributet e çmuara të Shqipërisë si aleate e NATO-s ndihmojnë në mbajtjen e Aleancës të fortë, të përgatitur dhe të vendosur. Shtetet e Bashkuara falënderojnë gjithashtu Shqipërinë për partneritetin dhe mbështetjen e saj gjatë zhvendosjes së afganëve.   Ne urojmë Shqipërinë për arritjen e hapjes të negociatave me BE në korrik dhe mbetemi të përkushtuar për t'ju mbështet", tha ai.

Edhe ambasadorja e BE, Christiane Hohmann, ka uruar Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë. Ajo shprehet se BE mbetet e përkushtuar plotësisht për të mbështetur Shqipërinë tani që ka hyrë në një fazë vendimtare në rrugën e saj drejt BE-së.

“Gëzuar Ditën e Pavarësisë Shqipëri! Tani që Shqipëria ka hyrë në një fazë vendimtare në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian, ne jemi plotësisht të përkushtuar për të mbështetur vendin për ta bërë realitet ëndrrën e popullit të tij”, shkruan Hohmann.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë