Pas vendimit për të rritur rrogën minimale nga 26 mijë në 30 mijë lek, Kryeministri Edi Rama premton se vendime të ngjashme të rritjes së saj Qeveria do të ndërmarrë çdo vit.
Rama foli këtë të enjte përmes rrjeteve sociale, ku pasi renditi një sërë vlerësimesh pozitive, sipas tij, të organizmave ndërkombëtare për reformat dhe ecurinë e Shqipërinë në përballimin e tërmetit dhe të pandemisë iu përgjigj edhe pyetjeve të ndjekësve të tij në Facebook dhe Instagram.
“Ne kemi hyrë këtë vit me një pagë minimale 30 mijë lekë. Paga minimale do të shkojë duke u rritur çdo vit në vitet e ardhshme", tha Kryeministri.
Rama përmendi raportin vlerësues të pandryshuar B+ të “Standard & Poor’s” si vlerësim pozitiv për ekonominë e vendit, ndërsa rivlerësoi rritjen ekonomike të parashikuar për këtë vit.
“Këtë vit ekonomia do të rritet me 4.5 për qind me supozimin që nuk do të ketë një valë tjetër. Ne jemi ende më optimist se kaq, por kjo është temë tjetër. Standard and Poor’s thekson se Qeveria ka arritur të marrë kredi, por edhe ka konsoliduar hendekun fiskal”, tha Rama.
Shifra prej 4.5 për qind është një pikë më poshtë se parashikimi fillestar i Qeverisë, që pasqyrohet edhe në buxhetin e këtij viti, ku Ministria e Financave parashikonte një rritje me të paktën 5.5 për qind.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.