Politike

PD: Rritja ekonomike, imagjinare! Ramën s’e beson më njeri

Partia Demokratike akuzon se Edi Rama shtrembëroi raportet e organizmave dhe institucioneve ndërkombëtare dhe se rritja ekonomike për të cilën flet është imagjinare dhe mashtrim për shqiptarët.

“Rënia ekonomike e Shqipërisë është 7.5% dhe të gjithë institucionet ndërkombëtare flasin qartë dhe thonë që Rama ka qenë i paaftë, ka dështuar për ta menaxhuar krizën e pandemisë por njëkohësisht edhe tërmetin. Ai nuk diti që të përballet me krizat e njëpasnjëshme që kaloi vendi, ka dështuar dhe po dështon çdo ditë e më shumë. Ndaj nuk i ka mbetur vetëm se të gënjejë publikisht edhe për fakte që janë publike”, deklaroi ish-deputetja demokrate, Jorida Tabaku.

Duke e quajtur “Kryeministri në ikje i Shqipërisë”, Tabaku thotë se në mungesë të një oferte reale për shqiptarët Rana u krenua me një raport të “The Economist” mbi lirinë dhe demokracinë në vendin tonë.

“Ai do të na shesë ne sikur në Shqipëri jemi më demokratikë megjithëse në 8 vite të rilindjes së tij vendi ka pasur një rënie të të gjithë treguesve që kanë lidhje me demokracinë dhe lirinë e individëve. Shqipëria ka pasur një përparim qesharak në 7 vitet e fundit në këtë raport dhe ky përparim që e kaloi Shqipërinë nga grupi i vendeve me demokraci hibride në grupin e vendeve me demokraci të lëkundur, është rezultat i vetëm një elementi dhe i një faktori, miratimi i Kodit Zgjedhor dhe marrëveshja e 5 qershorit”, tha ajo.

Tabaku iu referua më pas OSBE-së, Greco-s, Global Initiative Network e të tjerë, që sipas saj kanë të përbashkët identifikimin e procesit elektoral si në regres.

Ndërkohë që pak javë më parë u njohëm edhe me raportet e antimafias dhe të Ndragetës që e tregojnë Shqipërinë si parajsë të pastrimit të parave.

“Mburrjet e tij për një Shqipëri demokratike dhe të lirë janë një tjetër gënjeshtër 3D, njësoj si projektet që paraqet nëpër Shqipëri që duan të manipulojnë qeverisjen negative të vendit. Askush nuk e beson këtë, askush nuk e beson se si përdhunshëm u prish Teatri në mbrëmjen e 17 majit, se si u rrahën qytetarët, se si u tërhoqën zvarrë gazetarët”, thotë ish-deputetja e PD.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë