Futboll

Rama tifo për Romën: Për mikpritjen, jemi për Champions

Gazeta Si - Kryerministri i Shqipërisë, Edi Rama, do të bëjë tifo për Romën në finalen e 25 majit në Tiranë. Ai ka folur për “Tuttosport” për finalen e parë europiane që zhvillohet në Shqipëri, atë të Ligës së Konferencës mes Romës dhe Fejnordit.

"Kemi një nga impiantet më të bukur të Europës, - është shprehur Rama. – Për ne do të jetë një ‘Super Boël’ i vogël. Tifozët e shumtë? I shqetësuar nuk jam, por do të jetë absolutisht diçka e re për ne.

Sa i takon mikpritjes, jemi një vend që do të luftonte për Ligën e Kampionëve. Jam shumë i kënaqur për faktin që një nga finalistët është skuadër italiane. Që i vogël kam bërë tifo për italianët në sport. Pastaj, Roma është bërë speciale edhe për shkak të Jose Mourinjos".

Kryeministri Rama njihet si tifoz i Juventusit. Gazeta Si, 18 maj 2022

Tifo për Romën, ashtu si kryeministri Rama, pritet të bëjnë shumica e shqiptarëve. Ata ndjekin më shumë Serinë A dhe e njohin më shumë këtë skuadër. Por tifozë me Romën shqiptarët i bën edhe mbrojtësi i Kombëtares, Marash Kumbulla.

Në rrjetet sociale ndërkohë pritet të fillojnë memet dhe ironia, pas deklaratës së Ramës. Tifozë të shumtë e ‘akuzuan’ se u solli ters Juventusit dhe Bajernit të Mynihut, ku vershi xhupat me stemën e tyre.

Të dyja këto skuadra u eliminuan nga Championsi. Më 25 maj është shumë ngrohtë dhe Rama nuk ka nevojë për ndonjë xhup me stemën e Romës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë