Politike

Rama tërheq zyrtarisht padinë ndaj Haradinajt

Kryeministri Edi Rama ka tërhequr zyrtarisht padinë për shpifje ndaj ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinajt. Mediat në Prishtinë kanë siguruar aktvendimin ku konstatohet tërheqja e padisë.

Kreu i Qeverisë shqiptare, Edi Rama qëndroi për vizitë dy ditore në Kosovë por nuk arriti që krahas takimeve me liderët e vendit, të takohej edhe me ish’-kryeministrin Haradinaj.

Megjithatë, kryeministri Rama tha dje para mediave se do të tërhiqte padinë për shpifje.

“E kam njoftuar që s’do të bëj komunikim me mediat në çdo derë. I kam treguar se do ta tërheq padinë. Jo se ajo është e vogël për mua, por është me e madhe ajo që do të na bashkojë të gjithëve.

Nuk e di çfarë roli do të ketë heqja e padisë. Për më tepër me padi pa padi, Ramushi për mua nuk është kryeministri, politikani, është një prej figurave historike.

Kështu që padia do të tërhiqet zyrtarisht”, ka thënë Rama në një deklaratë nga aeroporti i Prishtinës. Në aktvendimin e publikuar, Rama ka nënshkruar personalisht tërheqjen e padisë ndaj Ramush Haradinajt

Rama dhe Haradinaj duhet të përballeshin në gjykatën e Prishtinës, ku kreu i qeverise shqiptare kishte dorëzuar një padi për shpifje për një deklaratë të bërë disa muaj më parë, ku Haradinaj akuzon Ramën, Thaçin dhe Vuçiçin se u përpoqën që t’i grabisnin Kosovës 10 miliardë euro pasuri, duke nënkuptuar këtu Trepçën.

Haradinaj e cilësoi si të turpshme padinë eRamës, duke theksuar se kryeministri jo vetëm nuk e kishte kundërshtuar idenë e ndarjes së Kosovës, por e ka mbështetur dhe lobuar për të.

“Ai ka qenë pro ndarjes. E ka thënë në një emision që pro ndarjes ka qenë edhe Presidenti Rugova. Ai ka lobuar në media dhe në biseda me të huaj për këtë temë, madje e ka bërë edhe në tavolina ku kam qenë edhe unë i pranishëm”, deklaroi Haradinaj në atë kohë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë