Kombetarja

Rama takon stafin kuqezi dhe lojtarët para Moldavisë: E keni nderuar këtë fanellë!

Gazeta Si – Po afron ora e kualifikimit të dytë të Kombëtares në një Europian dhe interesi po rritet ndjeshëm jo vetëm në ambientin futbollistik. Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga presidenti i FSHF-së Armand Duka, ka zhvilluar një takim special me stafin dhe lojtarët mbrëmjen e së hënës. Ai i ka uruar ekipit suksese në Moldavi në një takim mes batutash.

Në takim foli fillimisht presidenti Duka, i cili bëri thirrje për ta parë ndeshjen me Moldavinë si një finale: “Asnjë nga ne nuk mund të mendojë që ka mbaruar, përkundrazi sa më lart të shkosh, aq më e vështirë është. Moldavia është ekip shumë i fortë, nuk ka humbur në shtëpi, por ne, ju, jeni më të forte. Por duhet përqendrim maksimal.

Nuk duhet të shkojmë në Moldavi në asnjë mënyrë, duke menduar se na duhet një pikë ose për të bërë llogari, por duhet të shkojmë si në të gjitha ndeshjet e tjera. Jeni vërtet më të mirë, por atë duhet ta tregoni në fushë. Dua ta falënderoj kryeministrin që është sot me ne. Duhet të përqendrohemi te Moldavia”.

Pastaj foli kryeministri Edi Rama, duke theksuar se futbollistët kanë nderuar fanellën që mbajnë veshur: “Të them të drejtën, që kur ju kam parë juve në fillim, thashë që kjo punë ka për të shkuar mirë, sepse këta luajnë futboll. E them këtë në kuptimin që mbajmë topin. Kemi bërë edhe disa fitore më parë, por top nuk kemi mbajtur.

Tani jeni përzier mirë, disa me eksperiencë, disa të rinj, kështu që erdha vetëm që t’ju shoh, t’ju uroj suksese. Shpresoj shumë të shkojë mirë. Detyrat tuaja i dini vetë, nuk ka nevojë t’ua tregoj unë. E keni nderuar këtë fanellë deri tani, e keni rritur shumë stekën dhe pritshmëritë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë