Politike

Rama: Riorganizojmë gjithë procesin qeverisës, fusim inteligjencën artificiale. Forcimi i lekut, histori suksesi

Kryeministri Edi Rama ka folur pas mbledhjes dy ditore me kabinetin qeveritar.

Në një deklaratë për mediat, Rama tha se është diskutuar për një riorganizim të procesit qeverisës

“Është diskutuar edhe nevoja për të riorganizuar gjithë procesin qeverisës, duke filluar nga vetë organizmi i këtij procesi. Kemi arritur disa rezultate të rëndësishme dhe kemi vendosur disa piketa të rëndësishme në mënyrë që sesionin e ri ta nisim me një puls të ri por edhe me një rritje të konsiderueshme të kapaciteteve qeverisë duke theksuar rolin edhe të zëvendësministrave, duke përfshirë në vendimmarrje e proces të tjerë drejtues të agjencive të rëndësishme. Do krijojmë kanal të ri ndërveprimi me ekspertizën vendase dhe të huaj me botën akademike, me organizatat ndërkombëtare, por edhe me individë që kanë çfarë të na mësojnë qoftë brenda qoftë jashtë vendit”, tha Rama. 

Ai tha se imazhi i Shqipërisë në botë ka ndryshuar, ndërsa theksoi se është rritur interesi i investitorëve të huaj për të investuar në vendin tonë.

“Imazhi i Shqipërisë në botë është i përmbysur tërësisht derisa sa jo shumë vite më parë. Ajo që shohim nga brenda është rritja e interesit të investitorëve të huaj, nuk flasim për projekte të fokusuara vetëm në sektorin e energjisë, flasim për investitorë të mëdhenj në fushën e turizmit, teknologjisë të cilët deri para jo shumë vite më para s’do e konsideronin Shqipërinë si një mundësi për të zgjeruar biznesin e tyre”, tha ai 

Sipas tij do të ketë ndryshime të mëdha në reformën e Arsimit por edhe në atë të Prokurimeve ndërsa shton se kryefjalë do të jetë Inteligjenca Artificiale. Rama tha se po studiohet sesi do të adaptohet ky revolucion i teknologjisë në shërbime dhe politika sociale.

“Kemi nevojë të bëjmë një kapërcim tjetër vetë, të kuptojmë se çfarë sfidash të reja sjell ky ndryshim që po i ndodh vendit tonë. Si dhe të kuptojmë se sa shumë gjëra ne duhet të vëmë në dispozicion për ta cuar Shqipërinë në 2030 në atë maj që e kemi përcaktuar si vizionin tonë. Do shikoni në javët e ardhshme që do gjendemi para një situate tjetër, bashkë me lajmin e mirë vjen barra që ti duhet të kesh kapacitetet. Krahas këtyre ne kemi sfida që lidhen me rritjen e cilësisë së krahut të punës. Shqipëria nuk duhet të konsiderojë avantazh krahun e lirë të punës, sepse s’është.  Kemi folur për një tjetër reforme , në arsim. Është shumë e rëndësishme. Për të thelluar një proces ku ne nuk duhet të jemi të papërgatitur përballë këtyre lëvizjeve të mëdha, rënies së lindshmërisë, ndryshimeve që ndodhin në teknologji etj. Ne u fokusuam te kodimi, tani me inteligjencën artificiale ka dilemë. Folëm gjatë për IA. Kemi një proces të integrimit evropian që të transporzojmë 4000 e ca ligje, ndërkohë ne mund të bëjmë 60 në vit. Me IA ne mund ta bëjmë këtë me kosto të ulëta dhe shumë shpejt. Kemi filluar reformën për prokurimet do e ndryshojmë komplet. Me inteligjencën artificiale do t’a çojmë këtë proces në nivel tjetër. Do transformojmë edhe e-Albanian” tha Rama.

Ai nënvizoi gjithashtu se ka pasur debat me një përfaqësues të sektorit të prodhimit, duke theksuar se forcimi i lekut është një histori suksesi.

“Kam pasur një debat para pak ditësh me një prej përfaqësuesve të sektorit të prodhimit. Ne e dimë shumë mirë që në sektorin e prodhimit dhe të eksporteve ka pasur një stres jo të vogël për shkak të forcimit të lekut dhe rënies së euros në raport me lekun… dhe kemi pasur një konsultë të gjerë me disa ndër ekspertët më të mirë ndërkombëtarë. Mos harroni që këshilltari im për ekonominë është këshilltari i kancelares Merkel. Është një histori suksesi, është një histori suksesi. Një lek i fortë në këtë moment dhe në këtë kohë kur një lek i dobët do të na kishte sjellë një dhimbje koke katastrofike është një histori suksesi. Por nga ana tjetër duhet kuptuar që është dhe një kambanë e fortë alarmi për sektorin fason. Duhet shkuar drejt ciklit të mbyllur.

Ky stres jam i bindur që do nxisë një pjesë prej tyre të vrapojnë drejt ciklit të mbyllur siç kanë bërë disa të tjerë”, tha Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë