Politike

Rama: Pranojmë që SHBA të nisë operacione ushtarake nga Shqipëria

Nga Politico- “Bashkimi Europian po bën një gabim serioz duke mos u angazhuar drejtpërdrejt me udhëheqjen ruse për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë”, tha kryeministri shqiptar Edi Rama për POLITICO.

“Mund të them se Europa ka bërë një gabim të madh strategjik duke ndërprerë çdo kanal me Rusinë”, u shpreh ai në një intervistë në Forumin Ekonomik të Delfit në Greqi.

“Europa duhet të jetë gjithmonë, gjithmonë, gjithmonë në komunikim me të gjithë”, shtoi ai.

Këto deklarata bien ndesh me qasjen e zyrtarëve të lartë të BE-së, si presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen dhe kryediplomatja e BE-së Kaja Kallas, të cilët kanë shmangur kontaktet direkte me udhëheqësit rusë, përfshirë presidentin Vladimir Putin, duke argumentuar se bisedime të tilla janë të pakuptimta nëse Moska është e vendosur të vazhdojë luftën.

Por për Ramën, vendi i të cilit synon të anëtarësohet në BE në vitet e ardhshme, Europa po e vendos veten në periferi të çdo marrëveshjeje të ardhshme paqeje mes Ukrainës dhe Rusisë duke shmangur angazhimin e drejtpërdrejtë me Moskën.

“Sa më shumë ta shtyjmë (bisedën me Rusinë), aq më pak do të kemi fjalë në fund, sepse Rusia, sido që të përfundojë kjo luftë, nuk do të zhduket”, tha ai, duke shtuar se vendi i tij nuk ka asnjë lidhje me Rusinë.

“Ne nuk kemi asnjë lloj varësie nga Rusia, as investime, as gaz rus dhe asgjë ruse, kështu që mund ta them këtë.”

“Ishulli Kushner”

Komentet e Ramës vijnë në një kohë kur liderët e BE-së janë mbledhur në Nikozia të Qipros për të diskutuar mbështetjen e mëtejshme për Ukrainën, si dhe krizën energjetike që po përballet blloku për shkak të bllokadës iraniane të Ngushticës së Hormuzit.

Gjatë 13 viteve të tij në pushtet, Rama e ka pozicionuar Shqipërinë si pro BE-së, duke ruajtur njëkohësisht marrëdhënie me Shtetet e Bashkuara dhe presidentin Donald Trump, objektivat e luftës së të cilit ndaj Iranit Rama i ka vlerësuar publikisht.

“Nuk është për ne (Shqipërinë) të vendosim si të trajtohet Irani në skenën globale, por është detyra jonë të mbështesim çdo përpjekje për ta dobësuar dhe ndoshta për ta rrëzuar atë regjim”, tha kryeministri shqiptar, duke shtuar se do të lejonte ushtrinë amerikane të zhvillonte operacione nga Shqipëria me kusht që Uashingtoni të siguronte “mbrojtje ajrore, të cilën ne nuk e kemi në vend.”

Marrëdhëniet e mira të Ramës me Uashingtonin përfshijnë negociata të vazhdueshme mes qeverisë së tij dhe një kompanie në pronësi të dhëndrit të Trump, Jared Kushner, për shitjen e mundshme të ishullit të Sazanit në brigjet shqiptare.

Kushner, përmes kompanisë së tij Affinity Partners, po negocion për të blerë ishullin e pabanuar prej 5 kilometrash katrorë në Adriatik për 1.4 miliardë dollarë, me qëllim ta shndërrojë në një resort luksoz ekologjik me vila elitare, marina dhe bunkerë për vizitorë të pasur.

Planet kanë shkaktuar reagime të forta nga grupet mjedisore, me 41 organizata që i shkruan Ramës dhe ministrit të mjedisit në janar për të kërkuar ndërprerjen e menjëhershme të negociatave, duke argumentuar se planet janë në “kundërshtim të drejtpërdrejtë” me detyrimet e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në BE.

I pyetur për këto plane, Rama shprehu frustrim: “Është e pabesueshme që edhe media të mëdha, me reputacion botëror, flasin për një ishull që është shitur te Jared Kushner. Nuk është e vërtetë. Nuk di si ta ndal këtë, sepse ne nuk kemi bërë marrëveshje me Jared Kushner. Ne jemi në negociata.”

Bisedimet për shitjen kanë nisur që para mandatit të dytë të Trump.

Megjithatë, kjo marrëveshje nuk duhet të pengojë aspiratat e Shqipërisë për anëtarësim në BE, ku, së bashku me Malin e Zi, “jemi në krye”, tha Rama.

Përkundrazi, “shpresoj që marrëveshja të realizohet, sepse nëse investimi i tyre do të konkretizohet, do të jetë një dhuratë e bukur, për Europën”, tha ai, duke shtuar se bëhet fjalë për “bukuri dhe zhvillim të qëndrueshëm.”

Një zyrtar i BE-së, që foli në kushte anonimiteti, tha se Komisioni Europian është në dijeni të planit dhe nuk kishte koment të menjëhershëm për ndikimin e tij në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë