Politike

Rama porosit drejtuesit e bashkive: Kujdes me zjarret! Disa s’i kanë kuptuar detyrat që kanë

Para nisjes së pushimeve, Kryeministri Edi Rama mblodhi edhe njëherë tjetër drejtuesit e pushtetit vendor për t’u lënë porosinë që të bëjnë kujdes me situatën e zjarreve.

Kryeministri tha në këtë takim se sot në të gjithë vendin nuk ka zona të imunizuara nga flakët dhe theksoi rëndësinë që ka pushteti vendor për të minimizuar dëmet e shkaktuara prej tyre.

Rama u shpreh se parashikohet një muaj i vështirë sa i përket kësaj situate dhe roli parandalues i bashkive është i domosdoshëm dhe më jetik se ndërhyrja me helikopter.

“Kjo historia e helikopterit është një histori që duhet kuptuar mirë që reagimi është i përshkallëzuar dhe në gjithë botën e në vendet më të zhvilluara fillon nga niveli i ulët vendor dhe nga ata punonjësit e emergjencave apo vullnetarët që shkojnë dhe fillojnë punën, që nga puna me krah deri pastaj me mjete e deri te helikopteri”, tha ai.

Megjithatë, me disa bashki shprehu pakënaqësi në këtë drejtim.

“Shikojmë një situatë problematike në aspektin e kuptimit të detyrës nga një pjesë e juaja, e bërjes së detyrës nga një pjesë e bashkive lidhur me situatën dhe kundërpërgjigjen ndaj zjarreve”, tha Rama.

Drejtuesve të pushtetit vendor u kujtoi se 4 për qind të buxhetit vjetor kanë detyrimin që ta përdorin për të mbrojtur qytetarët dhe mjedisin nga fatkeqësitë natyrore, ose zvogëluar ndikimin e tyre.

Ai tha se këto para mbërrijnë nga buxheti i shtetit në formën e granteve që u shpërndahen bashkive.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë