Futboll

Rama: Partizani nuk feston para kohe, Gjici të ruajë vendin e dytë!

Partizani e ka titullin në “xhep”, dhe pse kanë mbetur edhe 7 javë kampionat. Po shkon i sigurt drejt titullit kampion, me 12 pikë diferencë nga Kukësi rival, që është dorëzuar tashmë. Në kampin e kuq presin matematikën për festën e titullit, siç ka pohuar drejtori i përgjithshëm i Partizanit, Olsi Rama, në një prononcim për mediet gjatë Asamblesë së Zakonshme Zgjedhore të FSHF-së. Ai theksoi se nuk mund të festohet para kohe, ndërkohë që ka bërë edhe një batutë me presidentin e Kukësit, Safet Gjici.

“Për titullin kampion nuk mund të festojmë para kohe, jo se është çështje tersi, por nuk mund të urohet datëlindja përpara datës së saj. Kampionati ka edhe shtatë javë, që do të thotë edhe 21 pikë të tjera në lojë, kështu që jam dakord me atë që ka thënë trajneri Skënder Gega. Partizani kërkon gjithmonë fitoren dhe duhet të japë maksimumin në çdo ndeshje. Nuk mendojmë tani për festën e titullit, presim zyrtarizimin nga matematika. Partizani ka pasur sukses këtë sezon për shkak të disiplinës dhe respektit mes lojtarëve dhe stafit. Kemi një grup të mrekullueshëm, të fortë, me dëshirë të madhe për fitore.

Drejtori i Partizanit, Olsi Rama, dhe trajneri Skënder Gega festojnë fitoren pas një derbi me Tiranën

Personalisht, jam munduar të jem i kujdesshëm në çdo moment, që ekipi të mos pushtohet nga euforia, një faktor që shpesh të dëmton. Gjici? Më tha se nuk ka përfunduar kampionati ende, ndërsa unë me humor i thashë të ketë kujdes për vendin e dytë, se mund t’ia marrin edhe atë”, - tha ndër të tjera drejtuesi i lartë i Partizanit. Rama nuk dëshiroi të fliste për atë çfarë u diskutua dhe miratua në Asamblenë e Zakonshme të FSHF-së, ku ai mori pjesë për herë të parë si drejtues i një klubi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë