Politike

Rama: Pakti me Bashën provon humbjen e PD në 2017. Reagon selia blu

Kryeministri Edi Rama thotë se marrëveshja e arritur në Këshillin Politik me Partinë Demokratike përforcon legjitimitetin e zgjedhjeve të 2017-ës, duke rrëzuar akuzat e opozitës.

Kreu i Qeverisë e argumenton këtë bindje të tij me këmbënguljen e opozitës për të mos depolitizuar administratën zgjedhore dhe për më tepër me paktin e arritur që administrimi të jetë i njëjtë si në 2017-ën.

“Marrëveshja e re ka edhe anën tjetër pozitive, që konfirmon se humbja e PD në 2017 s'kishte lidhje me marrëveshjen e parë dhe as me integritetin e zgjedhjeve, përderisa administrimi zgjedhor ekzistues mbeti kusht i panegociueshëm i LBPD, edhe në zhgjëndrrën pa qeveri teknike!”, shkruan Rama në Twitter.

https://twitter.com/ediramaal/status/1269264559442923521

Kryeministri deklaron se me marrëveshjen e nënshkruar Lulzim Basha nuk hoqi dorë nga asnjë kauzë, pasi sipas tij, kauza ishte imagjinare.

“Padyshim që s'jam dakord me ata që thonë se marrëveshja e re me LB ishte një humbje për të,se gjoja hoqi dorë nga kauza dhe nuk fitoi asgjë! Jo,sepse kauza ishte imagjinare, kurse marrëveshja është konkrete - pas djegies së kohës,mandateve,bashkive është një rikthim në realitet”, shton Rama.

Kësaj deklarate të Ramës nga selia blu i ktheu përgjigje, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi. Bardhi e cilëson fitore të opozitës paktin e arritus, sidomos qëndresën për të mos zbatuar depolitizimin e administratës zgjedhore.

“Edi Rama bën mirë të rrisë dozën e qetësuesve për të mbajtur nën kontroll nervozizmin pas tërheqjes me bisht ndër shalë nga skema mafioze për kapjen e komisioneve zgjedhore. Frika dhe mllefi sot dhe mbrëmë tregon qartë se nuk i mjaftojnë më as paratë e pista dhe krimi i organizuar për të vjedhur zgjedhjet. Bashkimi i qytetarëve kundër tij e ka tmerruar, duke e kthyer në një komentator qesharak, që flet me veten!”, tha Bardhi.

Bardhi thotë se zgjedhjet e 2017-ës jo vetëm që janë vjedhur, por këtë fakt, sipas tij e ka mësuar e gjithë bota dhe kujton se hetimi dhe dënimi i personave që janë përgjuar është një prej kushteve të vendosura nga Bashkimi Europian.

“Sa për vjedhjen e zgjedhjeve e 2017-ës, Edi Rama nuk do ketë më mundësi t’i fshihet kushtit nr.5 të BE për hetimin dhe dënimin e hajdutëve të zgjedhjeve të 2017-ës. Përgjimet e publikuara nga BILD i ka dëgjuar bota mbarë, që nga Niçja i drogës tek Gjushi i Ramës, i shpallur non grata nga SHBA”, shkruan Bardhi.

Partia Demokratike ka akuzuar se zgjedhjet e 2017-ës u blenë dhe dhunuan nga banda kriminale të lidhura me socialistët dhe akuzat i përforconte me përgjimet e publikuara edhe nga media gjermane “Bild” të dosjeve 339 dhe 184.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë