Politike

Rama : Numri i të prekurve do të rritet ende më shumë këtë javë

“Sot, numri i pozitivëve u rrit! Sidoqoftë brenda parashikimit lavdi Zotit dhe do të vazhdojë të rritet ende më shumë këtë javë”, thotë Kryeministri Rama përmes një postimi në rrjetet sociale.

Megjithatë, Kryeministri thotë se sfida nuk është kjo. Sfida sipas tij është që numri të mos rritet e të dalë jashtë kontrollit për shkak të shkeljeve të kufizimeve dhe karantinimit.

“Me rezistencë të madhe popullore mund të dalim nga kjo luftë me humbje e plagë të mëdha, por shumë më pak sidoqoftë sesa po nuk rezistuam”, thotë Kryeministri, që përsërit thirrjen për të mos dalë nga shtëpitë.

“Nesër nis një ditë e re me sfidën e mosshkeljes së orareve, mosdaljes me asnjë tjetër në krah, moskrijimit të grumbujve në tregje e në dyert e dyqaneve. Ju lutem mbani fëmijët brenda! Mos lini pleqtë që të dalin nga dera. Ecni fillikat në rrugë pa u ndalur askund. Rrini drejt njëri pas tjetrti në radhë me durim! Mos dilni poshtë pallatit”, vijon ai.

Kryeministri deklaron se shkelësit janë vetëm 1 për qind e qytetarëve dhe pikërisht këtij 1 përqindëshi u përçoi një mesazh.

“Ju që jeni pakica e pakicës, por jeni aq sa i duhen armikut për të në grirë si mish qeni, mos tradhtoni. Do t’ju godasim pa asnjë tolerancë, por juve nuk duhet ta çoni punën aty. Jemi të gjithë një familje dhe s’ka më turp në histori që të humbim një luftë si kjo se nuk rrimë dot në shtëpi”, mbyll mesazhin e tij Edi Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë