Politike

Në korrik, takim informal në Tiranë mes liderëve të rajonit dhe BE

Në ditën e dytë të turit ballkanit, kryeministri Edi Rama zhvilloi një vizitë zyrtare në Bosnje dhe Hercegovinë  ku u takua me Kryetaren e Këshillit të Ministrave, Borjana Kristo

‘Në Bosnje Hercegovinë jeton një komunitet shqiptar dhe mua më vjen shumë mirë të them që komuniteti boshnjak në Shqipëri i ka të garantuara të drejtat e veta gjuhësore, kulturore, fetare që janë të garantuara nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë në ligjin e minoriteteve të Republikës së Shqipërisë.

Nga ana tjetër nuk është sekret që Republika e Shqipërisë mbron edhe interesat e shqiptarëve në Kosovë dhe në vende të tjera dhe unë ia thashë dhe kryeministres që ne jemi shumë të interesuar që marrëveshjet e Procesit të Berlinit dhe në radhë të parë marrëveshja për lëvizjen e lirë, me kartë identiteti për qytetarët shqiptarë të Republikës së Kosovës të mundësohet sepse është e pakuptimtë që ne të kemi problematika të kësaj natyre që zbresin deri në nivelin e qytetarëve, ndërkohë që politika duhet t’iu shërbejë në radhë të parë të gjithë qytetarëve pa dallim.

Unë dëshiroj të besoj që ashtu sikundër vetë Serbia i ka firmosur ato marrëveshje edhe Bosnjë Hercegovina do e bëjë këtë gjë”, tha Rama në konferencën e përbashkët për shtyp me kryetaren e Këshillit të Ministrave.

Më tej Rama u fokusua në kërkesa konkrete në kuadër të Procesit të Berlinit.

“Qysh nga dita e parë e çeljes së negociatave me BE ne kemi nisur këtë përpjekje dhe na vjen shumë mirë që ne nivelin e BE ka një ndjeshmëri dhe ka dhe një proces i cili është lajmëruar edhe nga presidentja von der Leyen lidhur me një mbështetje të re në funksion të rritjes së bashkëpunimit rajonal në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ne foto: Kryeministri Edi Rama me kryetaren e Keshillit te Ministrave te Boznje dhe Hercegovines

Pa diskutim ne e mirëkuptojmë plotësisht dhe e mbështesim plotësisht mbështetjen që BE i jep në çdo aspekt Ukrainës dhe nuk ka vend për të bërë asnjë krahasim, por nga ana tjetër është e domosdoshme që në raport me Ballkanin Perëndimor, me të gjashtë vendet tona të ndërtohet një qasje e re. Nuk besoj se ne duhet të fillojmë ndonjë luftë apo të na vijë ndonjë agresor për të marrë më shumë mbështetje.

Bashkimi Europian duhet të na mbështesë dhe më shumë duke dhënë edhe një provë tjetër se sjellja e mirë shpërblehet, se vullneti për të shpërblyer paqen shpërblehet, se vullneti për ta lënë pas të shkuarën dhe për të përqafuar së bashku të ardhmen shpërblehet.

Kryeministrja po ashtu u informua që së shpejti rreth mesit të korrikut unë do organizoj një takim informal mes liderëve të rajonit dhe përfaqësuesve të Komisionit Europian për të diskutuar pikërisht për këtë plan të ri dhe ndërkohë për të ndërtuar së bashku një qëndrim lidhur me Procesin e Berlinit duke synuar që të forcojmë bashkëpunimin me kancelarinë në Berlin për ta transformuar Procesin e Berlinit në një makineri shumë më produktive, tha Rama i cili njoftoi se në Sarajevë së shpejti do të hapet edhe Ambasada shqiptare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë