Politike

Rama në Athinë për detin. Mediat greke: U këshillua me Erdoganin

Një muaj pas deklaratave të bujshme për zgjerimin me 12 milje detare në Detin Jon, Kyeministri grek Qiriako Mitsotakis dhe ai shqiptar Edi Rama do të “përballen” sot në Athinë, për të diskutuar së bashku në një darkë punë rreth orës 21:00 jo vetëm për “ndarjen e detit”, por për të gjitha çështjet e lëna pezull. Por takimi i fundit me presidentin turk duket se nuk është pritur mirë nga mediat greke, të cilat janë të bindura se Turqia do të ndërhyjë sërish në këtë cështje.

Sipas mediave greke në këtë tryezë pritet të hidhen themelet për marrëveshjen e detit, por Rama dhe Mistotaqis duket se nuk do të jenë të ftuarit e vetëm. Në takim do të jenë kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ish-ministrja e Jashtme e Greqisë, deputetja e partisë qeverisëse dhe motra e kryeministrit, Dora Bakojanis, po ashtu një prej nënshkrueseve të marrëveshjes detare të 2009, dhe ish-ministri i Jashtëm i Greqisë Jorgos Katrugalos.

Marrëveshja e firmosur më 27 prill të vitit 2009 mes Shqipërisë dhe Greqisë nga ish-ministri i Jashtëm në atë kohë Lulzim Basha u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese 1 vit më vonë, më 15 prill të vitit 2010. Pak ditë para vizitës së kryeministrit shqiptar në Athinë, në mediat e vendit fqinj filluan të qarkullonin raporte se kjo marrëveshje u rrëzua për shkak të ndërhyrjes diplomatikë të Turqisë.

Prezenca e Bokojanis ka të ngjarë të rrisë edhe më tepër presionin mbi palën shqiptare, pasi vëllai i saj, kryeministri Mitstotaqis e cilëson marrëveshjen e vitit 2009 si një “kryevepër diplomatike”. Por nuk është e qartë nëse kreu grek do të doja të nxjerrë nga sirtari të njëjtën marrëveshje.

Sipas mediave, një marrëveshje e ngjashme si ajo që nënshkroi Greqia me Egjiptin për caktimin e kufijve, do të ishte shumë e suksesshme edhe me Shqipërinë. “Marrëveshja me Egjiptin është pjesë e një strategjie më të gjerë për zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura bilaterale dhe ndërtimin e aleancave me palët e treta për të mbrojtur interesat kombëtare, duke sinjalizuar kështu se tani e kanë radhën çështjet e pazgjidhura më Shqipërinë”, shkruan “Protothema”

Egjipti dhe Greqia nënshkruan disa javë më parë marrëveshje që përcakton kufirin detar midis dy vendeve dhe përcakton një zonë ekonomike ekskluzive për të drejtat e shpimit të naftës dhe gazit.

Marrëveshja ishte në thelb një përgjigje ndaj një marrëveshje të ngjashme midis Turqisë dhe qeverisë me bazë në Tripoli të Libisë.

"Kjo marrëveshje lejon Egjiptin dhe Greqinë secila të shkojë përpara me maksimizimin e përfitimeve të tyre nga burimet e disponueshme në këtë zonë ekskluzive ekonomike, përkatësisht premtimin e rezervave të naftës dhe gazit", tha Ministri i Jashtëm i Egjiptit Sameh Shukry pas ceremonisë së shkurtër të nënshkrimit të pakttit në Kajro.

Ministri i Jashtëm Nikos Dendias përshëndeti marrëveshjen Egjipt-Greqi si "një marrëveshje shembullore". Sidoqoftë, asnjëri prej ministrave nuk zbuloi ndonjë detaj të saj.

"Është krejtësisht e kundërta e memorandumit të pavlefshëm midis Turqisë dhe Tripolit," shtoi Dendias.

Kur bie fjala tek kufijtë detarë, Turqia argumenton që ishujt grekë nuk duhet të përfshihen në llogaritjen e zonave detare me interes ekonomik, një pozicion që Greqia thotë se shkel ligjin ndërkombëtar. Greqia ka rreth 6,000 ishuj dhe ishuj më të vegjël në detet Egje dhe Jon.

Sipas mediave greke, Turqia ka të ngjarë të ndërhyrjë diplomatikisht në bisedimet mes Athinës dhe Tiranës, për të shmangur një precedent të ngjashëm në Egje.

Gazeta greke e “Euro Today” cilëson takimin e djeshëm të Ramës me presidentin turk Erdogan si një përgatitje para takimit me Mitsotakis, nisur nga konfliktet Greqi-Turqi.

“Vlen të përmendet, megjithatë, se Kryeministri i Shqipërisë, disa orë para se të vinte në Athinë, u takua, siç njoftoi në Facebook, me Presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan , në rezidencën e këtij të fundit në Marmaris. Disa e shikojne këtë takim si përgatitje për sot me Mitsotakis”, thekson artikulli.

Raportet vijnë pasi Turqia ka kërcënuar Greqinë të mendohet dy herë përpara se të zgjerojë sovranitetin detar në Jon, duke u druajtur se Athina zyrtare mund të shtrihet jo vetëm në Jon por edhe në Egje.

“Nëse Greqia zgjeron kufijtë e saj detarë në Detin Egje, do të ndërmarrë një precedent për shpallje lufte”, paralajmëroi së fundmi ministri i jashtëm turk Mevlüt Çavuşoğlu.  

 Turqia ka reaguar me zemërim pasi Greqia deklaroi se zgjerojë më 12 milje ujërat e saj territoriale perëndimore në detin Jon, e parashikuar në bazë të Konventës së Kombeve të Bashkuara për Ligjin e Detit, të cilën Ankaraja nuk e ka nënshkruar, pasi kryeministri Mitsotakis gjithashtu la derën hapur për një lëvizje të ngjashme në anën lindore me Turqinë.

Shtrija në Jon ka alarmuar Turqinë, e cila raportohet se e ka ngritur këtë cështje në nivelet më të larta euriopiane. “Në Egje, Greqia nuk mund të zgjerojë kufijtë e saj me 12 milje. Ky do të përbëntë një shkak për luftë (casus belli). Ne nuk do ta lejojmë Greqinë të shtrijë ujërat e saj territoriale nga 6 në 12 milje. Besoj se jam shumë i qartë”, tha Çavuşoğlu.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë