Politike

Rama: Heqja e ligjit të Luftës do hapë epokë të re, për Detin zgjidhja në gjykatë

Ligji i luftës që ka Greqia me Shqipërinë nuk është një çështje e re. Ka 75 vjet që ekziston qysh pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore dhe Athina nuk ka bërë ndonjë lëvizje konkrete në këtë drejtim. Por në një takim me emigrantët shqiptarë në Athinë, Rama ka premtuar heqjen e tij.

“Me qeverinë greke jemi në një situatë pozitive për të trajtuar të gjithë problematikat që ju i njihni. Ju e dini që ende sot në mënyrë absurde është një ligj lufte me Greqinë. Heqja e ligjit të luftës është gur themeltar për të hapur një epokë të re, sepse heq edhe gjithë mjegullën nga e cila përfitojnë lloj lloj ujqërish, hienash dhe qensh. Hap rrugën për të gjitha çështjet e pronësisë që të zgjidhen në mënyrë ligjore në rrugë gjyqësore kombëtare apo ndërkombëtare...”, tha ai. Një tjetër angazhim, sipas Ramës, është edhe marrëveshja me Detin, duke lënë të hapur orientimin e kësaj çështje drejt një palë të tretë apo Gjykatës Ndërkombëtare, nëse nuk do ketë zgjidhje mes palëve.

“Kemi folur për çështjen e zgjidhjes definitive të problemit të përkufizimit të hapësirave reciproke detare. Besoj që jemi në rrugë të mbarë, unë vazhdoj të mendoj që rruga më e mirë është t’i drejtohemi një pale të tretë apo gjykatës ndërkombëtare. Por jemi të dy në një mendje që këto gjëra duhen zgjidhur në kohë.

Është legjitime që edhe pala greke të jetë e interesuar për të drejtat e grekeve që jetojnë në Shqipëri. Është reciproke dhe jo vetëm që është një kërkesë legjitime, por edhe një obligim moral, qytetar dhe shtetëror”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë