Politike

Rama në Armeni: Një BE jo e plotë, është më e dobët

Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Rama e cilësoi Samitin e 8-të të Komunitetit Politik Europian, në Armeni, një mundësi për të treguar sa i rëndësishëm është unifikimi i Europës.

“Është një tjetër samit, Samiti i Komunitetit Politik Europian dhe një tjetër mundësi për të ndarë ambiciet dhe shqetësimet tona të përbashkëta. Ndërkohë, është një tjetër shans i madh për të parë se sa mund të bëjmë së bashku dhe sa e rëndësishme është te ecet përpara me bashkimin e Europës.
Duhet të shohim se çfarë qëndron realisht pas dhe ndërkohë është e qartë, që kështu siç janë gjërat, NATO-ja duhet të mbështetet më shumë në pjesën europiane”, tha Rama.

I pyetur se çfarë mund t’u ofrojë BE vendeve që aspirojnë anëtarësimin, Rama tha se kjo lidhet me forcimin e Europës.

“Nuk ka të bëjë me ofrimin e diçkaje për dy apo më shumë vende, por ka të bëjë me të menduarit e të vepruarit shpejt, sepse ka të bëjë me vetë Europën, me vetë Bashkimin Europian.

Një Bashkim Europian që nuk është i plotë, është më i dobët dhe është më i cenueshëm sesa një Bashkim Europian i cili është i plotë”, përmbylli Rama.

Ky takim i 8-të ka mbledhur udhëheqës nga i gjithë kontinenti në Jerevan të Armenisë, nën moton “Ndërtimi i së Ardhmes: Uniteti dhe Stabiliteti në Europë”.

Samiti do të bashkëkryesohet nga António Costa, Presidenti i Këshillit Europian, dhe Nikol Pashinyan, Kryeministri i Armenisë.

48 krerë shtetesh dhe qeverish janë ftuar të marrin pjesë në këtë takim të tetë të Komunitetit Politik Europian, mes të cilëve 27 vendet anëtare të BE-së, Shqipëria, Kosova dhe vendet e tjera të rajonit, ndërsa për herë të parë, në këtë samit do të marrë pjesë dhe një shtet jo-evropian si Kanadaja.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë