Politike

Rama ndërmjetësues në “sherrin” Turqi-Greqi? Çavushoglu fton Dendias në Tiranë, Athina: S’kemi ftesë

Përgjatë vizitave të Edi Ramës në Ankara dhe Athinë u hodhën hamendësime se Kryeministri i Shqipërisë mund të luante rolin e ndërmjetësit në qetësimin e tensioneve mes Turqisë dhe Greqisë dhe uljen e të dyja vendeve në tryezën e bisedimeve për përplasjet që kanë.

Megjithatë, si në deklaratat zyrtare pas vizitës dyditore në Turqi dhe takimit me Erdogan, ashtu edhe në deklaratat e bëra pas takimeve me ministrin e Jashtëm grek, Nikos Dendias dhe kryeministrin, Kyriakos Mitsotakis, Kryeministri Edi Rama nuk e ka përmendur asnjëherë këtë pjesë.

Por, sipas mediave turke Edi Rama ka ftuar Turqinë dhe Greqinë që të takohen brenda muajit janar në Tiranë. Mediat turke i referohen një deklarate të ministrit të Jashtëm turk, Mevlut Cavushoglu, që foli këtë të hënë pas një takimi me ministrin e Jashtëm të Qipros Veriore, republikë që njihet vetëm nga Turqia.

"Ftojmë Greqinë për mbledhjen e parë të bisedimeve hulumtuese brenda muajit janar. Pas këtij takimi të parë, jam i gatshëm të takoj Dendias duke shkuar në Tiranë me ftesën e Ramës. Kjo është një ftesë, shpresoj që Greqia nuk e refuzon këtë mundësi, këtë ftesë dhe së shpejti fillojnë bisedimet hulumtuese”, citohet ministri i Jashtëm turk.

Ftesa turke në dukje përmes ndërmjetësimit të Edi Ramës është përhapur edhe në mediat greke. Ministria e Jashtme greke ka reaguar duke lënë të hapur mundësinë e takimit në Tiranë dhe duke iu përgjigjur se deri më tani nuk kanë marrë ende një ftesë zyrtare.

“Deri më tani nuk kemi marrë asnjë ftesë zyrtare nga Ministria e Jashtme turke mbi një datë për takimin e 61-të hulumtues mes dy vendeve”, thuhet në deklaratën e palës greke.

Greqia shpreh gatishmërinë që të marrë pjesë në takim në rast se vlerëson se ftesa është serioze dhe në përputhje me ligjin ndërkombëtar.

‘Siç dihet, Greqia ka shprehur gatishmërinë e saj për t’iu përgjigjur çdo ftese të bërë nga pala turke mbi bazën e ligjit ndërkombëtar sa i takon delimitimit të zonës ekonomike eskluzive dhe shelfit kontinental”, vijon deklarata.

Por, ndërsa Ministria e Jashtme greke u shpreh e gatshme të negociojë në Tiranë me kushtin që këto negociata të jenë serioze, sipas saj, Kryeministri grek, Kyriakos Mitostakis ftoi Turqinë që të heqë dorë nga provokimet.

Ai tha nga Lisbona gjatë një konference për shtyp të përbashkët me homologun e tij portugez se Greiqa do të marrë pjesë në bisedimet hulumtuese, ku të caktohet një datë për bisedimet me Turqinë.

I pyetur në lidhje me deklaratat e Çavousoglu se Ankaraja dëshiron të fillojë kontakte kërkimore në janar, Mitsotakis e përshkroi atë si “pozitive që Turqia shpreh vullnetin për të filluar procesin e negociatave” , duke shtuar se qëndrueshmëria dhe vazhdimësia e dialogut janë të nevojshme.

“Mjaft bëtë “të mirin” dhe uluni në tryezën e dialogut! Të caktohet një datë dhe të ulemi në dialog. Shpresojmë që ftesa turke të jetë për të folur mbi çështjet me të cilat po përballemi”, ka thënë Mitsotakis.

Në të dyja vizitat e njëpasnjëshme dhe të befta në Ankara dhe Athinë, Kryeministri Edi Rama foli se qëllimi i tyre ishte forcimi i bashkëpunimeve dypalëshe dhe çështjet rajonale.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë