Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar këtë të shtunë një takim me fermerët në Dibër, mbi rritjen e investimeve në bujqësi dhe lehtësitë e reja për mbështetjen e këtij sektori.
Një nga fermerët në këtë takim iu drejtua kryeministrit Edi Rama duke thënë se ka një lajm të mirë për të ndarë me të: krijimin e një Shoqërie të Bashkëpunimit Bujqësor (SHBB) të fermerëve dibranë dhe bashkisë.
“Jemi në fazën e regjistrimit në gjykatë të kooperativës për qershitë, bashkia është bashkuar si aksionere. Kemi gjetur ambientin e përshtatshëm dhe të gjithë bashkë me hapjen e fondeve të IPARD-it do të aplikojmë si SHBB për të fituar pajisje dhe materialet e nevojshme, jo vetëm për paketimin dhe eksportin e qershisë, por edhe përpunimin e qershisë.”, tha fermeri. SHBB-ja e re e mban emrin “Dibra Origin”.
Fjalën më pas e mori vetë kryeministri Edi Rama, i cili e konsideroi këtë një fazë kur Shqipëria është e detyruar të hyjë dhe theksoi se nuk bëhet fjalë për kooperativa të ngjashme me ata të kohës së komunizmit, por në nivel BE-je.
“Kemi hyrë në një fazë kur nuk jemi më të dëshiruar, por të detyruar të hyjmë, që është faza e bashkimit.“, tha Rama duke e konsideruar shembullore krijimin e SHBB-së së re.
“Jo si kooperativat e dikurshme, por si kooperativat e Bashkimit Europian. BE funksionon me kooperativa, por ndryshe nga ato të komunizmit, secili prodhon më vete dhe të gjithë shesin bashkë. Duke shitur bashkë krijojnë një volum shumë më të madh. Kanë një pozitë negociuese shumë më të fortë me blerësit.”, tha kryeministri, i cili shpjegoi se me këtë model, fermerët ndajnë kostot e punimit të tokës, përkujdesjes për prodhimin dhe pastaj grumbullojnë, ambalazhojnë dhe shesin.
Ai tha se për këtë arsye, qeveria ka vendosur t’i mbështesë krijimet e SHBB-ve të reja.
Kryeministri bëri shaka edhe për emrin e SHBB-së së re, duke thënë: “Bashkia është aksionere në atë që i kishit gjetur edhe emrin, sepse po bënim shaka aty thash vërjani ‘Dibra United’ si ‘Manchester United’ por ia kishit gjetur ‘Dibra Origin’. Të bashkohemi ndryshe nuk e përballojmë dot përballjen që vjen me integrimin. Ku do t’i shesim produktet, me çanta në rrugët e Brukselit? Si do të sigurohet siguria ushqimore?”
Mes të tjerash, duke përmendur Paketën e Maleve, Rama iu drejtua kryetarit të bashkisë Rahim Spahiut duke i thënë se mos ta marrë mundimin të rikandidojë nëse nuk mundëson hapjen e 10 agroturizmave në Dibër, por edhe të 3 SHBB-ve.
“Nuk është më problemi tek paratë, problemi është tek aplikimi. Për pak muaj do të firmosim me bankat. Askush nuk ka më alibi, as kryetarët e bashkiave. Ua kam thënë, e dua shumë Rahimin, është dibran i mirë, ka ardhur këtu për të shërbyer pasi ishte në bankë, por ia kam thënë se po nuk bëtë 10 agroturizma dhe 3 shoqëri të bashkuara, as mos hajde të kandidoni më sepse bashkitë nuk janë më vetëm: shtro rrugë, vër drita, pastro plehtra dhe në fshat pastro kanale. Bashkitë duhet të jenë aleatët e fermerëve!”, tha Rama duke theksuar se 500 fituesit e parë që do marrin lejen do të jenë pa asnjë taksë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje