Lajme

Rama me batuta: BE na ka nxjerrë ujin e zi, më lehtë “të hynim” në SHBA, s’do bindnim 27 koka

Në Ditën e Evropës, Kryeministri Rama ka zgjedhur të shprehë me batuta vështirësinë e rrugës së vendit tonë drejt integrimit.

“Po të kishte negociata për t’u bërë pjesë e SHBA, mund të kishte qenë më e lehtë mbase, sepse nuk do të duhej të bindim 27 koka” – tha Rama duke shtuar më tej, se BE është projekti më pozitiv i imagjinueshëm, për të cilin ia vlen çdo sakrificë e çdo përpjekje.

Kryeministri ka zgjedhur një shprehje shqiptare për të nxjerrë në pah kërkesat e rrepta të BE, që vendi ynë të avancojë në rrugën evropiane. “Na kanë nxjerrë ujë të zi, gjithë proceset për pesë prioritetet, por sinqerisht na kanë dhënë ndihmën më të madhe, që mund të jepet dhe kanë dhënë provën e asaj që unë kam thënë, e them dhe do ta them gjithmonë: Përgatitja për të hapur negociatat, pastaj negociatat janë pa çmim, “janë udhëtimi përmes ferrit” për t’ia dalë për të pasur një shtet institucional dhe me pushtete të ndara sic thotë Kushtetuta”.

Në të njëjtin aktivitet ministri i Jashtëm, Dirmir Bushati u shpreh se Bashkimi Europian nuk është klub ekskluziv ku hyn ai që paguan, por një bashkësi vlerash, që nuk arrihen me plane, nuk thuhen as me fjalë, por tregohen me vepra.

“Jemi në një prag historik, fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE, që sikundër çdo sfidë e vështirë do të vijë si rezultat i punës konkrete, jo i të kaluarës sonë”  -tha kreu i diplomacisë shqiptare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë