Politike

Rama lejon hapjen e xhamive: Opozita po nxit besimtarët në revolucionin e saj imagjinar

Kryeministri Edi Rama akuzon anëtarë të opozitës, se po nxisin besimtarët myslimanë për t’iu bashkuar, sipas tij, revolucionit të tyre imagjinar, duke marrë shkas nga kufizimi i lëvizjeve në ditën e Fitër Bajramit për shkak të pandemisë së koronavirusit.

“Komitët patriotë dhe parimorë të Shqupit e të Lalzit, që prej vitesh përleshen për popullin e shtypur dhe shfaqen si çeta e Shahin Verdhës së Vitit të Mbrapshtë, herë me molotov e me gurë, herë me mandatin e djegur e herë me kafkën e Hamletit në dorë, kudo e kurdo ne të tjerët përpiqemi të ndryshojmë për mirë Shqipërinë e të ndërtojmë vepra të reja, pasi sakrifikuan jetën e tyre në mbrojtje të Karakatinës së Teatrit Kombëtar, janë ringjallur si ndjekës të flaktë të profetit për të nxitur komunitetin mysliman t'i bashkohet Revolucionit të tyre Imagjinar për Bajram”, shkruan Rama.

Rama thotë se hapja e xhamive do të lejohet falë bashkëpunimit të Qeverisë me komunitetet fetare, por duke respektuar protokollet e sigurisë të hartuara prej vetë atyre.

“Pasi kemi bashkëpunuaar këto javë me komunitetet fetare dhe kemi përgatitur protokollet e sigurisë shëndetësore, duke marrë, vlerësuar e miratuar propozimet e tyre, jemi gati të vendosim çeljen e aktivitetit të tempujve nga java e ardhshme me të gjitha kufizimet përkatëse, duke nisur nesër me këmbë të mbarë, e me bekimin e dritës së ditës së bukru të kalendarit të besimit islam”, thotë ai.

https://www.facebook.com/edirama.al/posts/10157791389231523

Rama uron besimtarët për festën e Bajramit, duke uruar që të jetë një ogur i mirë paqeje e mirësish për të gjitha komunitetet fetare dhe vetë Shqipërinë e shqiptarët në këtë kohë jo të lehtë, sipas tij.

Mes përfaqësuesve të opozitës që u ka bërë thirrje besimtarëve që të mos u binden urdhrave të Edi Ramës ka qenë edhe Petrit Vasili. Nënkryetari i LSI-së u kërkon që të bëjnë faljen e Bajramit dhe ironizon me vendimin duke sjellë pamje nga protesta e 17 majit.

“Edi Rama me 1500 policë sup më sup dhunoi të dielën më 17 maj të gjitha rregullat e pandemisë për të prishur Teatrin. S’mund të guxojë të ndalë faljen e Bajramit. S’ka dy palë rregulla, një palë për popullin dhe një palë për Edi Ramën. Mos iu bindni”, shkruan ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë