Politike

Rama krahason rrugët e Shqipërisë me Italinë e Zvicrën: Jemi njësoj

Dikur ishte Sali Berisha që e krahasonte Shqipërinë me Gjermaninë apo edhe Zvicrën kur fliste për ekonominë dhe infrastrukturën në vend.

Tani është kryeministri Edi Rama, i cili përmes fotosh të publikuara në Facebook, ka bërë një krahasim të punimeve në rrugën "Ura e Mesit-Kala e Drishtit" me disa gjarpërushe rrugësh në Italinë e Jugut (apo edhe Francë e Zvicër) për të treguar se standardet e ndërtimit të tyre tanimë janë njësoj.

 “Bashkëlidhur disa foto rrugësh rurale, në Itali, Francë e Zvicër, thjesht për të kthjelluar vështrimin e disa miqve në këtë faqe, që "çuditërisht" bëjnë sikur s'e kanë parë botën e tallen me këto "rrugë njëkalimshe", shajnë për "kthesat vdekjeprurëse", akuzojnë "për vjedhje asfalti", fyejnë inxhinierët, sipërmarrjet, punën e mijëra njerëzve, që edhe në këto ditë përvëluese janë duke punuar në kantieret anembanë vendit.

Të gjitha investimet tona publike, në këtë rast qoftë në rrugët kombëtare e qoftë në ato rurale, bazohen në standarde europiane sipas kategorive të tyre dhe kryhen mbi bazë projektesh e me një cilësi që s'ka të krahasuar me kohën e "rrugëve të lëna rrugëve"...

Miq të dashur, qofshi dashamirës a jo me këtë qeveri apo me mua, sinqerisht ju them, ka plot arsye për të kritikuar çdo qeveri dhe padyshim edhe këtë qeveri, por në rastin e rrugëve të Shqipërisë dy gjëra janë të padiskutueshme:

E para, qeveria e mëparshme hapi shumë fronte punësh nëpër Shqipëri, dmth bëri shumë e shumë tendera (pa buxhetin e nevojshëm) dhe preu shumë e shumë shirita, duke ndërtuar kudo nga një copë rrugë që pastaj u la rrugëve bashkë me një mal borxhesh ndaj kompanive! E vetmja rrugë ku u bë më shumë se një copë rrugë, ishte Rruga e Kombit, vepër vërtetë ambicioze, por që u la edhe ajo e papërfunduar ose më mirë, e cunguar dhe pa asnjë plan mirëmbajtjeje...

Të gjitha ato punë të nisura e të mbetura në rrugë, vazhduan më pas, me shumë vështirësi, jo vetëm financiare dhe këtu vjen e dyta: Projektet copë - copë dhe cilësia skandaloze e punimeve të bëra me ritmin e daulleve të inaugurimit, bënë që thuajse çdo projekt të rishikohej, e deri të bëhej nga e para, ndërsa kostoja e veprave të rritej deri edhe në trefish, siç ndodhi me Tiranë-Elbasanin...”, shkruan ai

Kryeministrit Rama i duket se tani po kanë lezet edhe kantierët kur sheh si projektohet, punohet e realizohet një projekt.

“Për këtë mjafton të duash të shohësh dhe nuk duhet ndonjë dashamirësi e madhe për të bërë dallimin si dita me natën. E ke inat po jepi hakun, thotë Popull”, shkruan ai


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë