Ngjarje

Sot pasdite nis vaksinimi kundër Covid-19 në “Air Albania”

Kryeministri Edi Rama njoftoi se sot pasdite në Shqipëri nis vaksinimi i personave të parë me vaksinën kundër Covid-19. “Lajm i mirë. Nisim vaksinimin”, shkroi Rama mbrëmë në një postim në Facebook.
Fushata me moton "Shqipëria buzëqesh" nis në stadiumin "Air Albania". Vaksinat e para do do t’u bëhen mjekëve, pastaj do të vazhdohet me mësuesit, policët dhe moshat madhore mbi 75-vjeç. Zyrtarisht autoritetet shqiptare të shëndetësisë kanë sqaruar se Shqipëria ka siguruar 500 mijë vaksina anti-COVID të Pfizer/BioNTech. Gjithashtu ato kanë theksuar se vijojnë edhe bisedimet me kompani të tjera si AstraZeneca apo Moderna për sigurimin e vaksinave të tjera.

Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu duke inspektuar qendrën evaksnimit në stadiumin "Air Albania"

Por gjatë vizitës në Greqi u njoftua se Rama siguroi një sasi të vaksinave nga vendi fqinj. Nëse vaksinat e para kanë mbërritur nga Athina, kjo do të njoftohet në mesditë në një konferencë shtypi të kryeministrit

Më datë 1 janar kryeministri Edi Rama njoftoi se “10.750 dozat e para të vaksinës së kompanisë Pfizer do të mbërrinin në fillim të javës së tretë të janarit, ndërsa 30.250 doza të tjera do të vijnë në muajin shkurt”. Rama tha gjithashtu se puna për sigurimin e vaksinimit nuk është ndalur me kaq, pasi sipas tij 9 mijë doza do të na i sjellin 2 vende partnere në mes të janarit.
Kryeministri u shpreh se Shqipëria ishte e mirëpërgatitur për ta ngritur në kohë infrastrukturën e vaksinimit për të cilën Ministria e Shëndetësisë ka hartuar strategjinë, programin dhe planin e kalendarizuar të procesit. Ai tha se “vaksina do të jetë falas dhe jo e detyrueshme, por padyshim vaksina është e këshillueshme për të gjithë në këtë luftë të madhe, të gjatë dhe të stërmundimshme, për familjet, shoqërinë, shtetin”.
“Bazuar dhe në praktikën e përgjithshme ndërkombëtare vaksinimi do të nisë në fillim me bluzat e bardha, pastaj mësuesit, efektivët e policisë në terren dhe në moshat madhore mbi 75 vjeç. Në vijim do të vazhdohet me grafikun e përgatitur në ulje drejt moshave më të reja”,tha Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë