Politike

Rama i përgjigjet Bashës: S’të bëj dot Kryeministër!

Kryeministri Edi Rama iu përgjigj Lulzim Bashës, që deklaroi më herët se hapja e listave shtojnë mundësitë e hyrjes në Parlament të deputetëve me mbështetjen e krimit, ndërsa akuzoi se në të vërtetë, pas hapjes së listave qëndron synimi i Edi Ramës për të parandaluar koalicionet parazgjedhore.

Rama ironizoi edhe me deklaratën e bërë nga kreu i demokratëve, që tha se Rama i ka dërguar ndërmjetës me propozimin “Ti (Basha) Kryeministër dhe unë President”, në këmbim të ndalimit të koalicioneve parazgjedhore.

“Listat e hapura do të fuskan kriminelët në Parlament sipas LB, e unë dashkam të bëhem President me LB kryeministër, se paskam frikë nga humbja. Në fakt jo, unë e di popullin më të mençur se veten prandaj dua të hapen listat, e s'e bëj dot Lulin KM se s'jam Populli që e vendos këtë!”, shkruan Kryeministri.

Rama thotë se nisma e tij nuk e pengon PD që të hyjë në koalicion me LSI-në.

“Sa për koalicionin me SHPK e LSI, siç e quan LB, as e ndalon hapja e listave që ta bëjë, as e detyroj dot unë që ta zhbëjë! Prandaj Lul merre me qetësi këtë proces ku more gjithë çfarë deshe, e lëri sharjet e kërcënimet, sepse koha e ka treguar që të çojnë vetëm nga humbja në humbje!”, thotë Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë