Politike

Rama: Hetimi për tokat nuk rrezikon investimin në Zvërnec

Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se hetimet e SPAK-ut që lidhen me shitblerjen e tokave në Zvërnec nuk rrezikojnë projektin e planifikuar për investimin turistik në zonë, pavarësisht urdhër-arrestit të lëshuar ndaj biznesmenit Artur Shehu dhe sekuestrimit të mbi 128 milionë eurove në kuadër të dosjes.

Në një intervistë për Top Channel, Rama tha se çështja penale që po hetohet nga SPAK dhe investimi në Zvërnec janë dy procese të ndara.

“Këto nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën. Toka nuk është më e askujt, përveç atyre që e kanë blerë. Hetimet për persona që janë shitës të tokës janë hetimet që vazhdojnë dhe SPAK bën rrugën e vet”, deklaroi ai.

Sipas kryeministrit, pronat objekt i transaksioneve tashmë janë në zotërim të blerësve dhe nuk janë pjesë e ndonjë mase hetimore.

“Ajo pronë është jashtë çdo investigimi”, tha Rama.

Komentet vijnë fill pasi SPAK vendosi sekuestro preventive mbi 128.3 milionë euro të lidhura me tre kontrata shitblerjeje tokash në Zvërnec, ndërsa mes personave për të cilët është lëshuar masë sigurie figuron edhe biznesmeni Artur Shehu, një prej pronarëve kryesorë të tokave në zonë.

Kryeministri argumentoi se hetimi mund të shërbejë madje në favor të personave që pretendojnë pronësinë mbi tokat.

“Kjo është një gjë shumë e mirë dhe një lajm shumë i mirë për ata që pretendojnë se prona është e tyre. Ata do ta provojnë në gjykatë nëse toka është e tyre dhe lekët do t’i marrin ata, jo ai që ka bërë shitjen”, u shpreh ai.

Rama mbrojti sërish projektin, duke e cilësuar të paarsyeshme refuzimin e një investimi prej 4 miliardë eurosh.

“Në pikëpamjen ligjore, investimi nuk rrezikon asgjë. Është një çmenduri që Shqipëria të refuzojë një investim 4 miliardë euro, duke qenë një vend që ka më pak se 27 miliardë ekonomi të vetën. Shumica e shqiptarëve e do këtë investim”, deklaroi kryeministri.

Ai shtoi se aktualisht nuk ekziston një leje ndërtimi për projektin, por vetëm një leje zhvillimi që, sipas tij, përbën miratimin paraprak të konceptit.

“Ne jemi në një proces dhe nuk ka një leje ndërtimi dhe nuk ka pasur ndonjëherë një leje ndërtimi. Ka pasur leje zhvillimi, që është një aprovim paraprak i një koncepti”, tha Rama.

Gjatë intervistës, kreu i qeverisë komentoi edhe protestat që po zhvillohen prej ditësh në Tiranë, duke theksuar se ato janë pjesë normale e jetës demokratike dhe nuk përbëjnë një sfidë ndaj legjitimitetit të qeverisë.

“Protestat janë pjesë e jetës demokratike në një vend të lirë. Protestat nuk janë matje force dhe as nuk maten me numra”, u shpreh ai.

Rama shtoi se mandati i tij buron nga zgjedhjet dhe se ai do të respektojë deri në fund atë që e quajti kontratë me qytetarët shqiptarë.

“Unë kam një kontratë me shqiptarët dhe do e respektoj deri në fund. Nuk diskutohet”, deklaroi kryeministri


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë