Politike

Rama: Estonia, shembull frymëzues për transformimin digjital të Shqipërisë

Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama gjatë një deklarate të përbashkët me homologun e Estonisë Kristen Michal në Estoni, vlerësoi modelin estonez të zhvillimit teknologjik dhe inovacionit digjital.

Rama e cilësoi Estoninë si “një laborator të së ardhmes” për mënyrën se si vendi baltik ka ndërtuar një shtet modern dhe të orientuar drejt teknologjisë.

Shqipëria, sipas tij, e sheh Estoninë si një shembull frymëzues për transformimin digjital dhe zhvillimin e inteligjencës artificiale.

Rama po ashtu vlerësoi bashkëpunimin mes dy vendeve, veçanërisht në fushën e arsimit dhe teknologjisë.

Sipas tij, Shqipëria synon të ndjekë modelin estonez, duke theksuar se 95% e shërbimeve publike tashmë ofrohen online.

“Më së pari dua të shpreh mirënjohjen që më së fundmi më lejohet te vizitoj këtë qytet të cilin e kam imagjinuar gjithmonë si një laborator të së ardhmes që shkruhet dita ditës. Është e vërtetë që ky qytet është i mrekullueshëm edhe falë asaj që është ndërtuar në të shkuarën dua tu them qytetarëve Estonisë që kemi admirim të plotë për të të cilët në vend që të vendosin të jetojnë në muzë kanë vendosur që të jetojnë në të ardhmen dhe kjo e bën Estoninë atë qytetin që shkëlqen majë kodrës, sidomos për një vend si Shqipërisë, pasi jemi të vegjël dhe kemi nevojë për shembuj të tillë”, tha Rama.

Ai u ndal edhe te rëndësia e inteligjencës artificiale, duke deklaruar se Shqipëria dëshiron të mësojë nga përvoja estoneze për të përgatitur brezat e rinj për sfidat e epokës së re teknologjike.

Gjithashtu theksoi se Shqipëria dhe Estonia janë aleatë natyralë brenda NATO dhe ndajnë të njëjtin qëndrim për mbrojtjen e demokracisë dhe kundërshtimin e ndikimeve të huaja që synojnë destabilizimin e vendeve demokratike.

“Me ju, jo vetëm që kërkojmë bashkëpunim, por kërkojmë atë udhërrëfyes Estonisë dhe jam shumë mirënjohës që na thatë se jeni gati të prisni njerëzit tanë të vijnë më shpesh të mësojnë prej jush e prej asaj që ju po bëni, sidomos në nivelin e sektorit arsimor duke nisur me fëmijët për tu dhënë atyre instrumentet që ta çojnë vendin në një tjetër nivel”.

Sipas tij, afërmendsh që “ne duhet të sigurohemi që është rrugëtimi ynë drejt 2030 të shtrohet me të njëjtin novacion që e ka bërë Estoninë një markë globale”.

“Edhe ne kemi 95% të shërbimeve tona online dhe synojmë të ecim para me Inteligjenca Artificiale. Ju përmendet ministren e Inteligjencës Artificiale, jemi mëse të lumtur që t’ua prezantojmë., nga ana tjetër me të drejtë përmendet se Shqipëria dhe Estonia janë shumë të bashkuara jo vetëm nga NATO-ja, por edhe nga një refuzim i palëkundur për të mos lënë fuqitë e huaja që të minojnë mënyrën tonë demokratike të jetesës”, tha Rama.

Të dy vendet, tha ai, kanë kaluar periudha të vështira historike nën regjime të imponuara.

“Ne jemi dy kombe që më së fundmi jetojnë me dëshirën për të kapur të ardhmen, pasi janë mbajtur për një kohë mjaft të gjatë në të shkuarën, jo për zgjedhjen e tyre, por për shkak të imponimit të regjimeve që ndanim në një moment të caktuar në histori. Po kështu jemi tejet të vendosur për të mbrojtur atë që kemi, dhe kjo jo vetëm na bën kombe me të njëjtën mendësi, por na bën absolutisht aleatë dhe miq të natyrshëm”.

Rama po ashtu e falënderoi vendin për mbështetjen që po i jep Shqipërisë në procesin e negociatave me Bashkimin Evropian duke theksuar se “presim me padurim të kalojmë në fazën tjetër shumë shpejt”.

Rama tha se “do të vazhdojmë duke nisur me mbylljen e kapitujve të negociatave”.

Ai u ndal edhe te bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve duke theksuar se “lidhjet tona ekonomike po rriten. Ju përmendët fluturimin e drejtpërdrejtë dhe dua t’ju them që është kënaqësi të shohësh trefishimin e numrit të estonezëve që nga viti 2023”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë