Gazeta Si – Kryeministri Edi Rama, e ka pranuar se çështja “Beleri” (i arrestuar për korrupsion në zgjedhje), krijoi vështirësi në zgjidhjet e mosmarrëveshjeve mes Shqipërisë dhe Greqisë.
Në Forumin e 11-të Ekonomik të Delfit, Rama tha se ekziston një vullnet i qartë politik për të çuar përpara dhe për të mbyllur çështjet e pazgjidhura mes Shqipërisë dhe Greqisë, duke lënë të hapur mundësinë që një marrëveshje për delimitimin detar të dërgohet në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë brenda vjeshtës së ardhshme.
Megjithatë, tensionet u rritën kur kryeredaktori i gazetës “Kathimerini”, Alexis Papahelas, ngriti çështjen e arrestimit të Fredi Belerit, duke e përmendur si një temë të ndjeshme në marrëdhëniet dypalëshe.
Përpara se pyetja të përfundonte, Rama ndërhyri duke e ndërprerë, duke theksuar se çështja sipas tij ka marrë tashmë një zhvillim institucional dhe se Beleri është aktualisht eurodeputet.
Rama pranoi se çështja krijoi vështirësi, por marrëdhënia mes tij dhe kryeministrit Micotaqis ruan gjithnjë respekt.
“Çështja Beleri krijoi disa vështirësi në marrëdhënien tonë, nuk ka dyshim, por kemi qenë gjithmonë respektues dhe të hapur me njëri-tjetrin, pa bërë teatër. Unë e respektoj shumë për këtë. Vendosëm kohë më parë që nuk duhet t’i lëmë vendet tona të përpihen nga këto lloj zënkash. Ne duhet që njëherë e mirë të zgjidhim të gjitha çështjet që ka midis nesh. Ambicia jonë është të përfundojë brenda këtij viti dhe vjeshtën e ardhshme të përfundojnë të gjitha çështjet. Kemi një aset të madh për ne, pakica greke dhe diçka që është aset për ju, shqiptarët që jetojnë këtu dhe janë të integruar”, tha Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje